75 Mall Live Search
13:41 / E Hënë, 30 Qershor 2025 / L K

Gjiganti japonez i makinave bën një hap për të shpëtuar veten

Prodhuesi i makinave Nissan Motors u ka kërkuar disa furnizuesve të shtyjnë pagesat për të pasur më shumë para në dispozicion në një afat të shkurtër, sipas disa emaileve dhe një dokumenti nga kompania japoneze të parë nga Reuters.

Në vitin financiar 2024/2025 që përfundoi në mars, kompania japoneze operoi me një humbje neto prej 670.8 miliardë jenësh (4.5 miliardë dollarë), sipas një raporti biznesi të publikuar në mesin e majit.

Menaxhmenti ka shtyrë parashikimin e fitimit për vitin financiar 2025/2026, duke përmendur “pasigurinë në mjedisin doganor”.

Ne përpiqemi të zbusim ndikimin e politikës doganore amerikane dhe përparësia jonë është prodhimi i makinave në SHBA, optimizimi i kapaciteteve lokale, zhvendosja e prodhimit të ekspozuar ndaj detyrimeve doganore dhe bashkëpunimi i ngushtë me furnizuesit për lokalizimin e prodhimit dhe përshtatjen e shpejtë me kërkesat e tregut”, shtoi ajo.

Për Nissan, një shtyrje e pagesave do të siguronte më shumë para në fund të tremujorit të parë fiskal, treguan emailet.

Menaxhmenti u dërgoi apele të ngjashme furnitorëve në mars, drejt fundit të vitit financiar 2024/2025, treguan mesazhet.

Në një deklaratë për Reuters, menaxhmenti shpjegoi se kishte ftuar disa furnizues të bashkëpunonin me kushte më fleksibile pagese. Një veprim i tillë nuk do t’u sillte kosto furnizuesve dhe do t’i siguronte Nissan një fluks më të lartë parash, pretenduan ata.

“Ata vendosën vetë nëse paratë do t’u paguheshin menjëherë apo më vonë, me interes”, vuri në dukje kompania japoneze.

Emailet u shkëmbyen midis punonjësve të Nissan në Britani dhe BE, përfshirë ata në departamentet e financave.

Pagesat për qershorin do të shtyheshin deri më 15 gusht, shkroi punonjësi, duke shtuar më vonë se disa do të zhvendoseshin në shtator, por furnizuesit nuk ishin të detyruar ta pranonin vonesën./Indeksonline/