Gjilan, festa nis me homazhe te varrezat e dëshmorëve

Në Gjilan, qytetarë të shumtë, por edhe përfaqësues nga pushteti lokal, festën e Flamurit e kanë nisur me homazhe te varrezat e dëshmorëve.
Nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina – Bunjaku ka thënë se falë gjakut të dëshmorëve, ne sot po e gëzojmë lirinë.
“Falë gjakut të dëshmorëve, duke filluar nga Skënderbeu, Ismail Qemajli, Adem Jashari, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne sot po e gëzojmë lirinë. Sot bashkërisht po e vazhdojmë ndërtimin e vendit dhe do të mundohemi në vazhdimësi që ta ruajmë paqen e sigurinë për të gjithë. Shfrytëzoj rastin t’i uroj të gjithë shqiptarët për festën e 28 Nëntorit. Ta ruajmë e ta zhvillojmë vendin dhe ta duam njëri-tjetrin duke e bërë ëndrrën dëshmorëve realitet”, ka thënë nënkryetarja Morina-Bunjaku.
Ndërkaq, sot është mbajtur edhe vrapimi cross nga klubi i atletikës Qendra me moton “Vrapojmë dhe festojmë”, sikurse edhe koncerti për fëmijë nga Dancing House “Festojmë kuq e zi”, derisa në ora 17:00 aktivitetet në kuadër të shënimit të 28 nëntorit përmbyllen me koncertin festiv nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve – Gjilani, te teatri i qytetit.