08:42 / E Mërkurë, 09 Shtator 2020 / indeksADMonline

Gjilani shpërblehet me një grant prej 745 mijë eurosh, për performancën e vitit 2019

 Komuna e Gjilanit është shpërblyer me grant nga Ministria e Pushtetit Lokal me 745 mijë euro, për performancën e vitit 2019.

Në këtë mënyrë, Gjilani zë vendin e tretë ne nivel të Kosovës për shumën më të madhe të grantit të fituar.

Kreu i komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar MPL-në për vlerësimin e lartë për Gjilanin, derisa ka përgëzuar ekipin e madh të sistemit të menaxhimit të performancës komunale (SMPK), për angazhimin dhe profesionalizimin e madh që kanë treguar në këtë aspekt.

“Jam shumë i nderuar që Gjilani është ranguar në krye për performancën e lartë nga MPL-ja dhe partnerët: SDC-Zyra zvicerane, Suedia dhe Norvegjia. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Gjilanin. Këto mjete nga granti, sikur edhe ato të kaluarat, do të përkthehen me investime komunitare. Faleminderit ekipit të madh SMPK-së për punën e madhe që e kanë bërë, sikurse edhe të gjithë resorëve të komunës”, ka deklaruar Haziri.

Ky është granti i shtatë që Gjilani fiton brenda katër vjetësh në kuadër të SMPK-së, derisa totali i shpërblimit është afro 2 milionë euro.

Nga grantet e kaluara, përveç tjerash, është ndërtuar pjesa e parë e Rrugës së Kumanovës, rrethrrotullimi te hyrja në Rrugën e Prishtinës, asfaltimi i rrugëve me elementet përcjellëse në lagjen “Porodin” etj.