14:19 / E Hënë, 15 Gusht 2022 / MSH

Gjilani shpërndan 300 shtëpiza të bletëve për 54 bletarë

Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Gjilan ka shpërndarë të hënën 300 shtëpiza të bletëve për 54 bletarë.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se në vitin e ardhshëm do të rritet buxheti për sektorin e bujqësisë.

“Këto shtëpiza janë ndarë për 54 fermerë ndërkohë që sektori i bujqësisë ka nevojë më të madhe për mbështetje financiare. Fatkeqësisht, buxheti që është i planifikuar dhe i ndarë në vitin e kaluar është i pamjaftueshëm për bujqësinë, ndërsa për vitin e ardhshëm do të planifikojmë edhe projekte të reja dhe rritje të buxhetit për sektorin e bujqësisë, sidomos tek subvencionimi dhe përkrahja direkte për fermerët”, ka thënë kryetari Hyseni.

​Drejtori për Bujqësisë dhe Pylltari, Bajram Isufi, ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale për mbështetje ndaj tyre fermerëve, duke u zotuar së në vitin e ardhshëm do të ketë dyfishim të subvencioneve për bletarët.