14:13 / E Mërkurë, 11 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Gjilani, u shpërndan fidanë arre 22 fermerëve për ngritjen e 15 hektarëve

Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan ka shpërndarë sot fidanë arre për fermerët, ku do të ngrihen 15 hektarë me këtë kulturë.

Gjatë shpërndarjes së këtij subencioni, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i ka uruar fermerët, ndërkaq ka shprehur zotimin se Komuna edhe në vitin e adhshëm do të vazhdojë mbështetjen edhe më të madhe ndaj tyre, me të gjitha kapacitetet.

Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka shfaqur zotimin se do t’u qëndrojnë prapa fermerëve për implementimin e plotë të këtij projekti.

“Komuna e Gjilanit i ka dhënë mundësi të mëdha sektorit të pemëtarisë dhe fokusin e mbajtur kryesisht tek kulturat industriale. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga fermerët për mbështetjen në kulturën e arrës. Kemi vlerësuar se komuna jonë ka kushte të mira klimatike dhe tokësore për kultivimin e arrës, e mbi të gjitha, është kulturë e perspektivës, me treg të sigurt”, tha ai.  

Numri një i Bujqësisë në Gjilan ka numëruar rezultatet e punës për këtë vit, duke theksuar se 2019-a ka qenë vit jashtëzakonisht i suksesshëm për këtë sektor.

“Kemi pasur partneritete me Komisionin Europian, shkollën e agrobiznesit “Arbëria”, e donatorët tjerë në favor të blegtorëve. Kemi subvencionuar në plotni mbjelljet pranverore dhe vjeshtore dhe kemi bërë përpjekje për t’i selektuar projektet kapitale investive për t’ua lehtësuar punën bujqve. E falënderoj kryetarin Haziri dhe nënkryetarin Ismajli për mbështetjen e madhe që ia ka dhënë këtij sektori”, ka përfunduar Ramadani.