75 Mall Live Search
12:27 / E Shtunë, 13 Prill 2019 / indeksADMonline

Gjimnazi “LOYOLA” shënoi 14 vjetorin e themelimit, mori pjesë edhe Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e 14 vjetorit të themelimit të gjimnazit “LOYOLA”.

Në këtë shënim, ku të pranishëm ishin përfaqësues të jetës politike, kulturore, kryeministri Haradinaj tha se është i nderuar që në emër të Qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj, ndanë këtë fillim dite kaq të mirë së bashku me fëmijët, prindërit e tyre, profesorët dhe shtoi gjithashtu se gjimnazi “LOYOLA” nuk do të ishte realitet pa të gjithë ata që e kanë bërë realitet atë.

Kryeministri Haradinaj tha se sot janë bashkë për të vërtetuar se jo vetëm përvjetori i shkollës “LOYOLA” është një festë e përbashkët, ku nxënësit do t’i tregojnë të arriturat, por janë aty që të vërtetojnë se do të jenë përherë, Qeveria e Kosovës, ai personalisht dhe gjithë institucionet, në përkrahje të këtij gjimnazi, duke shpresuar që ai të realizojë projektin e ardhshëm të një shkolle të lartë profesionale.

“Për të ditur gjithë të tjerët se sa e mirë është “LOYOLA”, është mirë të tregohet se testin e maturës, nxënësit e saj e kalojnë njëqind për qind, pra e kalojnë mbi mesataren e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se të gjithë ata nxënës që e përfundojnë shkollën këtu, jo vetëm janë të aftë për atë çka i pret në jetë, por janë të aftë të konkurojnë edhe në tregjet tjera me kualitetet e tyre.

Kryeministri Haradinaj para të pranishmëve të shumë, gjithashtu u shpreh se Kosova është Evropë, mungon lëvizja e lirë, por që edhe ajo do të vijë, sepse mundësia e lëvizjes së lirë, është mundësi për të parë se çka ndodhë në vendin tonë dhe çka në vendet tjera dhe populli i Kosovës duhet të synojë që ta bëjë jetën këtu, që rinia e saj të fokusohet, të ketë guxim, të vazhdojë brez pas brezi ta zhvillojë Kosovën.

“Dëshira jonë është që ta bëjmë Kosovën Gjermani, Austri dhe jo të rinjtë tanë të shkojnë në Gjermani e Austri dhe ai është qëllimi ynë që këtu ta bëjmë Gjermaninë” , tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj uroi të gjithë ata që marrin përgjegjesitë që të jenë edhe më të suksesshëm.

Alfons Tentrup, kryetar i shoqatës mbështetëse të gjimnazit “LOYOLA”, tha se, puna e bërë deri më tani do të vazhdohet edhe më tutje që ky gjimnaz të bëhet edhe më i mirë.

“Gjimnazi “LOYOLA” luan një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë dhe është një shkollë elitë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për një shkollim më të mirë dhe ju garantojmë për këtë, ku disa prej nxënësve do të kenë mundësi të vazhdojnë shkollimin edhe në Gjermani”, tha kryetari Tentrup. /Indeksonline/