75 Mall Live Search
13:01 / E Martë, 07 Janar 2025 / S Z

Gjinekologjinë e vërshojnë kërkesat për IVF-në

Për herë të parë në shëndetësinë publike të Kosovës, ka filluar Shërbimi i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).  Një mundësi kjo e mirë për çiftet që përballen me infertilitet, duke përdorur teknologji moderne dhe shërbime të standardizuara.

Derisa  ky shërbim në institucionet private kushton deri në 3000 euro, në Klinikën e Gjinekologjisë  do të ofrohet falas dy herët e para. Ndërsa pas kësaj, çmimi për procedurë do të jetë rreth 670 euro.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, ka thënë për Indeksonlinen se interesimi për IVF-në në klinikën që ai udhëheq është  tejet i madh.

“Interesimi për IVF në klinikën tonë është i madh”, ka thënë Ndrejaj.

Ndërsa ka pohuar se  tashmë kanë filluar me klasifikimin e pacientëve dhe formimit të listës, për të vazhduar pastaj me përocedura të tjera.

“Po ne kemi filluar me këtë shërbim. Kemi filluar me mbledhjen e pacientëve. IVF është proces i gjatë, fillohet me kontrollet dhe klasifikimin e pacientëve. Formohet lista e ngushtë, pastaj fillohet me faza të tjera. Ne jemi në fazën e parë të formimit të listes”, tha Ndrejaj.

Ndryshe Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kanë investuar 1.9 milionë euro për pajisje mjekësore të nevojshme për këtë shërbim, si edhe renovimin e plotë të repartit dhe përmirësimin e kushteve për pacientët.

Për këtë shërbim të ri, janë siguruar pajisje të avancuara për laboratorin e embriologjisë, dy aparate ultrazë të reja, si edhe një Histeroskop/Laparoskop i kombinuar për procedura më të sakta dhe efikase./Indeksonline/