75 Mall Live Search
20:25 / E Mërkurë, 10 Qershor 2020 / indeksADMonline

Gjini kërkon urgjentisht trajtimin e mostrave të punonjësve të spitalit të Gjakovës

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka adresuar kritika për mos veprim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në rastin e një pacienteje me Covid-19 në spitalin regjional të Gjakovës.

Para katër ditësh, një paciente nga Komuna e Rahovecit ka qenë e hospitalizuar për më shumë se një javë në spitalin regjional të Gjakovës dhe ka rezultuar me Covid-19.

Menjëherë pas kësaj, kryetari Gjini, gjatë një takimi të kryetarëve të komunave të Kosovës me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj dhe kreun e IKSHPK-së Naser Ramadani, ka ngritur ka kërkuar rezultate të shpejta të testeve të punonjëseve spitalor, pasi ekziston rreziku që Komuna e Gjakovës mund të shndërrohet në vatër të re infeksioni.

Pavarësisht kësaj kërkese, edhe pas katër ditësh qëkur është diagnostikuar pacientja me COVID-19, ende nuk janë trajtuar mostrat e 19 punonjësve të spitalit regjional të Gjakovës, e të cilat janë marrë më 8 qershor.

“Një pjesë e tyre mund t’i kenë infektuar familjet apo personat tjerë. Këto mostra është dashur të trajtohen me urgjencë absolute. Rezultatet e IKSHPK nuk maten ndryshe përpos me efikasitet të testimit, sidomos kur kemi të bëjmë me institucione shëndetësore. Kjo është absolutisht e pajustifikueshme”, ka shkruar kryetari Gjini në një postim në Facebook.