75 Mall Live Search
12:57 / E Premte, 26 Qershor 2026 / S Z

Gjini: S’kemi asnjë kusht dhe nuk synojmë pjesëmarrje në qeveri, por kemi kërkesa jetike për Kosovën

Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, në një konferemncë për media  ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale politike në vend, duke paralajmëruar se Kosova mund të mbetet për një periudhë të gjatë pa institucione funksionale.

Gjini tha se gjendja e krijuar nuk është në interes as të qytetarëve dhe as të zhvillimit strategjik të shtetit, duke theksuar se vendi tash e rreth një vit e gjysmë ndodhet në një situatë bllokade institucionale.

“Fatkeqësisht po krijohet një ndjenjë që Kosova prapë mund të mbetet për një kohë më të gjatë pa institucione. Një situatë e cila nuk shkon në favor as të qytetarëve as të zhvillimit strategjik të shtetit të Kosovës. Gjithçka është peng, gjithçka është bllokuar tash e pothuajse një vit e gjysmë,” u shpreh ai, raporton Indeksonline.

Ai theksoi se Aleanca nuk ka kërkesa personale apo interesa për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme, por ka disa kushte që i cilësoi si jetike për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja.

“Ne nuk kemi kurrfarë kushtesh vetjake, asnjë kusht personal. Nuk synojmë kurrfarë pjesëmarrjeje në qeverisjen e ardhshme të Kosovës. Megjithatë, kemi disa kërkesa që janë jetike në mënyrë që Aleanca ta kryejë pjesën e vet të punës në ndihmë të krijimit të institucioneve”, tha Gjini.

Sipas tij, një nga kërkesat kryesore është që institucionet e reja të pranojnë qartë orientimin strategjik të Kosovës, përfshirë projektin e gazit amerikan.

“Institucionet e reja duhet kjartë dhe pa ekuivoke me pranu orientimin strategjik, me pranu  projektin e gazit amerikan”, tha ai.

Gjashtë kërkesat e Aleancës për institucionet e reja janë:

1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.

2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.

3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.

5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.

6. Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale./Indeksonline/