75 Mall Live Search
11:57 / E Mërkurë, 05 Tetor 2022 / k.v

Gjithçka gati për takimin e Komunitetit Politik Evropian nesër në Pragë

Është publikuar agjenda e takimit të Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Pragë të Republikës Çeke, e që fillon me 6 tetor.

Në kuadër të këtij takimi që mbledh liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së, përfshirë aleatë të unionit siç është Britania e Madhe, pastaj edhe ato që aspirojnë të jenë pjesë e unionit, do të diskutohen disa tema.

Mes tyre janë paqja, siguria, energjia, klima dhe situata ekonomike .

Në orën 12:00 të së enjtes, pritet të mbërrijnë presidentët ose kryeministrat e shteteve pjesëmarrëse, kurse punimet fillojnë në orën 13:00.

Diskutime shumëpalëshe dhe dypalëshe janë paraparë të ndodhin, deri në orën 19:30, kur edhe do të mbahet konferencë për media.

Pjesë e takimit do të jetë Kosova, që përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, kurse Shqipëria, me kryeministrin Edi Rama.

Pjesëmarrësit e ftuar në këtë takim të parë të Komunitetit Politik Evropian janë: Kosova, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Lihtenshtajni, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe presidenti i Komisionit Evropian dhe ai i Këshillit Evropian.

Komuniteti Politik Evropian është një nismë e propozuar fillimisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron./RTK/