Gjobitet mërgimtari, i cili tejkaloi rrezikshëm në trotuar, policia ka njoftuar edhe autoritetet zvicerane

Pas publikimit në IndeksOnline të pamjeve ku një veturë me targa zvicerane kryen tejkalim të rrezikshëm përmes trotuarit, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjobë ndaj mërgimtarit dhe ka njoftuar autoritetet zvicerane për trajtim të mëtejmë.
Ngjarja ka ndodhur më 24 korrik 2025 në Gjilan. Shoferi i automjetit Audi S6 (targa TG) ka tejkaluar në mënyrë të parregullt përmes trotuarit në anën e djathtë, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht në një udhëkryq.
Pamjet e publikuara nga qytetarët në rrjete sociale kanë ndihmuar në identifikimin e shpejtë të shoferit nga Njësiti rajonal i komunikacionit në Gjilan, i cili është gjobitur sipas ligjit në fuqi.
Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës për bashkëpunim në trajtimin e kundërvajtjeve, rasti do t’u përcillet autoriteteve zvicerane për veprim të mëtejmë.
Policia e Kosovës apelon për respektim të rregullave të trafikut dhe inkurajon qytetarët që të raportojnë rastet e ngjashme përmes aplikacionit “Lajmëro policinë”, e-mailit info@kosovopolice.com apo numrave 192 dhe 038 5080 7001.
