19:00 / E Mërkurë, 24 Qershor 2020 / indeksADMonline

GJON MILI: Fotografi shqiptar i Hollivudit

Fotografi korçar i Pablo Pikasos, Marlon Brandos, Sofia Lorenit, Zhan Pol Sartrit, Frenk Sinatrës etj. Për fat të keq, shqiptarët nuk e njohën dhe nuk i përjetuan dot as famën e tij për shkak të izolimit që diktatura komuniste i bëri vendit nga Perëndimi gjatë atyre viteve. Por edhe sot e kësaj dite, Gjon Mili në Shqipëri ende nuk është i njohur dhe i vlerësuar në nivelin e duhur, siç e meriton pa dyshim një artist si ai, me të cilin kemi vërtet shumë për t’u krenuar. Po kush ishte Gjon Mili? Ai lindi në “qytetin e serenatave”, Korçë, në vitin 1904, dhe vdiq në moshën 79-vjeçare (1984). Formimi intelektual nuk i mungoi asnjë çast. Mësimet e para ai i mori në Rumani. Kur ishte 19 vjeç u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçutesit si inxhinier ndriçimi, por gjatë kësaj kohe ai u mor edhe me artin fotografik, i shtyrë nga Faik Konica, me të cilin kishte miqësi. Në vitin 1937 Mili merr titullin “Profesor”. Më pas ai do të lëvrojë me sukses shumë zhanre të fotografisë, si portretin, peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve etj. Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur më 1934-n, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë, me 140 foto, në vitin 1980 në Nju Jork, me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Zhan Pol Sartri dhe Henri Breson e adhuronin

Në vitin 1946, një shqiptar nga Korça ekspozonte fotografitë e tij në Paris. Quhej Gjon Mili dhe ishte 42 vjeç. Fjalën e hapjes në këtë ekspozitë e mbante filozofi i madh francez, Zhan Pol Sartri. Ai e vlerësonte talentin e Milit dhe e falënderonte artistin shqiptar, pasi falë tij, gjithçka tashmë kishte ndryshuar sa i takon perceptimit të fotografisë. “Para se të takoja Milin, isha mësuar të shihja vetëm ata fotografë çapaçulë që bënin fotografi nga një farë marazi, ashtu si të vrisnin diçka. Mili nuk ka maraz. Ai nuk kënaqet thjesht me kapjen e njerëzve të famshëm me aparatin e tij fotografik. Çdo fotografi e shndërron në studim, në përvojë. Për të ka aq mënyra fotografimi, sa ka dhe tipa”. Ndërsa në vitin 1952, Mili hapte ekspozitë në një nga galeritë e Parisit, kushtuar piktorit me famë botërore Pablo Pikaso, me të cilin gjithashtu kishte miqësi. Breson, në vitin 1980 (katër vjet para vdekjes së Gjon Milit) shkruante: “Shoqërimi i ngushtë me Milin për mua paraqet këndelljen e shpirtit dhe fisnikërimin e mendjes. Madhështia e Milit buron nga personaliteti i tij kompleks, i përmbushur me urtësi filozofike dhe me pasion për përsosmëri. Studioja e tij për një numër të madh prej nesh ka qenë Athina e Nju Jorkut. Unë e ngre në qiell përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, sikur të kishte hyrë nën urdhrat hyjnore 1000 vjet më parë”.

Ndër 100 profesionistët më të mirë të shekullit XX

Gjon Mili hyn në elitën e fotografëve botërorë, mes 100 profesionistëve më të mirë të kësaj fushe për shekullin e kaluar dhe ka lënë në albumin e 500 fotografive më të mira të botës disa fotografi. Njëra nga këto fotografi është i famshmi Pikaso që vizaton centaurin me dritë. Sipas fotografit Roland Tasho, e veçanta e Milit është që përveçse mjeshtër i fotografisë, ai konsiderohet edhe si shpikës i fotografisë troposkopike (fotografisë në lëvizje). Duke qenë inxhinier elektrik, ai njihte shumë mirë dritën dhe bazohej mbi të dhe jo tek aparati fotografik. Në zhanret e fotografisë që lëvroi Mili përmenden; portreti, peizazhi, reklama, fotot dokumentare, politike, fotot në fusha në ndryshme të artit etj. Por momenti që bëri më shumë bujë në jetën e tij artistike ishte ai i vitit 1942. Kishte studiuar dhe kuptuar se mund të arrinte diçka që s’ishte bërë deri atëherë. Gjon Mili arriti të fotografojë predhën e një topi avioni kalibër 37 mm, ndërsa dilte nga gryka e topit, me një kohë ekspozimi prej një të miliontën pjesë të sekondës. Ishte një foto e bujshme. U botua në shumë gazeta të mëdha të kohës, dhe komentet e shtypit ishin “shpikja e shekullit”.

I përzgjedhuri i VIP-ave amerikanë

Përveç fotografive me lëvizje, Mili njëkohësisht hynte në elitën e artistëve amerikanë duke punuar në revistën prestigjioze “Life”, duke fotografuar kështu emra si: Frenk Sinatra, Marlon Brando, Sean O.Casey, Alfred Hiçkok, Sofia Loren, presidentin amerikan Harry Truman etj.
Po kështu aparati i fotografit shqiptar ka ngrirë në celuloid emra të mëdhenj si Paul Njuman, apo këngëtaren e njohur franceze Edith Piaf, aktoren Elizabet Tejlor, Vivian Blein etj. Shumë nga këta personazhe të famshëm botërorë njihen me fotografitë që ai u ka bërë, madje dhe atëherë, ato fotografi i përdornin për përfaqësimin e tyre në publik.

Patriotizmi fillon nga emri: Jo John, por “Gjoni nga Shqipëria”

Mili kishte lidhje me Faik Konicën, Fan Nolin, të cilit i ka bërë dhe një fotografi, që është e njohur kudo. Një e veçantë e këtij artisti ishte se ngado që ai prezantohej nuk pranonte që emri i tij të shkruhej ndryshe, apo të konvertohej nga Gjon në “John”, ai e shkruante me “Gj” dhe thoshte se emri Gjon shkruhet e lexohet vetëm në Shqipëri. Gjithmonë ai prezantohej duke thënë se qe “Gjon Mili nga Shqipëria”. Ai njihej me disa emra, dikush e thërriste “gjeniu shqiptar”, e dikush e thërriste edhe “fotografi i çmendur”…

Konica e nxiti Milin të bëhej fotograf

Ja si do të shprehej studiuesi i fotografisë, Qerim Vrioni, për jetën e fotografit më të famshëm shqiptar të të gjitha kohërave dhe për një moment të rëndësishëm ndikues në zgjidhjet e Gjon Milit, siç ishte njohja me Faik Konicën: “Euriditi i shquar Faik Konica e nxiti inxhinierin e ri shqiptar t’u drejtohej edhe arteve, kryesisht kinematografisë, që ishte tanimë në zhvillim të vrullshëm. Në Boston, Jani, si zakonisht të huajt, e kish amerikanizuar emrin në John (Xhon), por kjo zgjati deri më 1927-n, kur me sugjerimin e Konicës, vendosi ta shkruajë fare shqip, Gjon. Në këtë vit e hasim për herë të fundit emrin John në një foto të “vatranëve” me Konicën më 1927-n. Këshillën e Konicës, Gjoni e zbatoi duke iu kushtuar kinemasë, që në atë kohë ishte pa zë. Ndërkohë ai kishte mësuar shumë mirë dy gjuhë, shqipen dhe anglishten. Madje ai shkruan në gjuhën amtare dy novela të shkurtra me tema shqiptare, të botuara në “Dielli” (1928) e, më pas, edhe në revistën “Studenti shqiptar” (1929), që nxirrte Odise Paskali në Torino të Italisë. Ato, dallohen për gjuhë të pastër dhe të pasur shqipe”.

Pasioni për letërsinë

Veç fotografisë, në jetën e tij artistike Gjon Mili zbuloi brenda vetes edhe aftësinë për të shkruar. Tri novelat e tij me tituj “Larg”, “Ëndërr” dhe “Nëna”, të shkruara me një shqipe të pastër, janë botuar në vitin 1929 në revistën “Studenti shqiptar”, që botonte Odise Paskali në Torino. Por Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi. Ka xhiruar me skenar të tijin gjashtë filma dokumentarë, kushtuar veprës së Pablo Kazalsit, Shon O’Kejsit, Henri Bresonit etj.

Më 15 shkurt 1984, në Stamford (Konektikat, SHBA), ndahej nga jeta prej pneumonisë, në gjendje të rënduar psikike, por me “mbjellje” madhore në fotografi, shqiptaro-amerikani i shquar, Gjon Mili, ai që fotografoi si askush tjetër “vizatimet me dritë”. Disa vite më parë ai kishte pësuar një aksident automobilistik, që ia dëmtoi mjaft shëndetin. Shuarjen e Milit e pasqyroi të nesërmen edhe gazeta e madhe “The New York Times”, në një shkrim që zinte thuajse një faqe. Gjon (i pagëzuar Jani) Mili lindi në Korçë (ndoshta në fshatin Progër), më 28 nëntor 1904, nga dy prindërit korçarë. Familja “Çekani” e së ëmës ishte mjaft e njohur në krahinë. Një paraardhës i saj, Konstandin Çekani, përmendet si iluminist në Akademinë e Voskopojës. Kur mbushi pesë vjeç, familja e Gjonit shkon në Rumani (Bukuresht), ku e priste i ati, Vasil Mili. Fillimi i jetës rumune për Janin e vogël ishte i vështirë, sapo kish mësuar mirë shqipen, tani i duhej të mësonte dhe rumanishten. Gjithsesi, nis shkollimin, të cilin e përfundon në gjimnazin e njohur “George Lazaru” të kryeqytetit me nota shumë të mira (1923). Pak muaj më vonë udhëton drejt SHBA-ve, me ftesë të ungjit, Koço, për të vazhduar atje studimet e larta. Me të mbërritur në Boston, regjistrohet në Institutin Teknologjik të Masaçutesit, ndër më të njohurit në botë, për inxhinier elektrik ndriçimi e, mbas katër vjetësh studimi, ai diplomohet. Menjëherë fillon punën në Korporatën e madhe Elektrike “Uestinghauz”. Ndërkaq, Jani forcon lidhjet me shqiptarët e hershëm të Bostonit, duke u bërë veprimtar i gjallë i Shoqërisë “Vatra”, ku u zgjodh edhe në kryesinë e degës së qytetit. Madje për disa kohë punon edhe si redaktor në organin e saj, gazetën “Dielli”.

Publikuar më 21 Shkurt 2009
Petrika GROSI

FOTO: Gjon Mili duke fotografuar Pikason ndërsa pikturon me dritë.

Pablo Picasso;Pablo Picasso [Misc.]
Artist Pablo Picasso using flashlight to make light drawing in the air. (Photo by Gjon Mili//Time Life Pictures/Getty Images) Time Life Pictures