75 Mall Live Search
22:13 / E Enjte, 20 Nëntor 2025 / Gj Sh

Gjonbalaj: Nëse futbollistët e Kosovës ruajnë formën, Sllovakia e madje edhe Turqia nuk do të jenë problem për ti mposhtur

Ish-futbollisti i njohur kosovar dhe analisti Malsor Gjonbalaj ka komentuar shortin e Kosovës në play-offin e Kupës së Botës.

Kosova në ndeshjen e parë do të përballet me kombëtaren e Sllovakisë derisa në finale kundërshtarët e mundshëm do të mësohen nga ndeshja Turqi – Rumani.

Gjonbalaj në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se asnjëra nga skuadrat kundërshtare që ishin në short, nuk ishin të lehta, derisa fat deshi të përballemi me Sllovakinë, dhe sipas tij Kosova ka gjasa reale për ta kaluar sfidën e parë.

‘’Të gjitha skuadrat i kanë specifikat e veta dhe pothuajse me cilëndo që ti binte shorti Kosovës nuk do të ishte lehtë. Ka ra Sllovakia luhet në terrenin e saj në një vend me tifozë jo dashamirë ndaj Kosovës, por megjithatë me cilësinë që ne e kemi jam shumë optimistë që mundemi me kalua Sllovakinë.

E kam përcjell ndeshjen e fundit kundër Gjermanisë, dhe Sllovakia nuk ishte në ditët e saj më të mira, por ka futbollistë me përvojë, nuk është skuadër e lehtë me e mposht por mendoj se futbollistët e Kosovës e ruajnë formën që e kanë pasur deri në mars dhe nuk kemi lëndime, jam optimistë se këtë ndeshje do ta fitojmë. ‘‘, ka deklaruar Gjonbalaj për IndeksOnline.

Ai po ashtu ka komentuar edhe përballejen tjetër mes Turqisë dhe Rumanisë, ku fituesi i kësaj ndeshje në finale do të mund të përballen me Kosovën, nëse e kalon Sllovakinë.

Gjonbalaj shtoi se me ndihmën e tifozëve vendas në ndeshjen e dytë dhe nëse futbollistët e Kosovës e mbajnë formë e tanishme dhe nuk kanë lëndime deri në mars, beson se Kosova ka gjasa reale edhe ndaj Turqisë dhe të siguroj kualifikimin në Botëror.

‘’Në ndeshjen tjetër e shoh favorit Turqinë dhe pres të shkoj në finale, ndërkohë Kosova në këtë përballje do të varet shumë nga ndeshja paraprake që do ta luajmë, a do të kemi lëndime apo ndëshkime me kartonë. Por nëse ne jemi në të dy ndeshjet me kapacitetin e plotë të futbollistëve, mundemi të arrijmë sukses. Sllovakinë kemi shumë gjasa me e kalua, finalja do të jetë problematike sidomos nëse ndeshemi me Turqinë por sido që të jetë nuk jemi pa gjasa as ndaj tyre.

Tifozëria e Kosovës ka dëshmua ndër vite që është një nga tifozëritë më të civilizume edhe më mbështetëse për ekipin tonë, kështu që ajo në çdo moment do të jetë krah ekipit dhe është një forcë shtesë dhe e kanë rolin e tyre shumë pozitiv.’’, tha Malsor Gjonbalaj për IndeksOnline.