Gjuajtje me armë në Hajvali, arrestohen pesë persona
IndeksOnline ka raportuar sot për disa të shtëna me armë në Hajvali të Prishtinës në afersi të pompës së derivateve Exfis.
Në lidhje me rastin janë arrestuar pesë persona, raporton IndeksOnline.

Njoftimi i plotë i policisë në lidhje me rastin:
Policia e Kosovës sot ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në Rrugën e Gjilanit, në Prishtinë, dhe menjëherë ka reaguar duke angazhuar njësitet përkatëse policore.
Zyrtarë policorë nga Stacioni Jugu dhe nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale kanë arrestuar katër persona të dyshuar dhe kanë sekuestruar armët e përdorura në këtë rast.
Pas veprimeve të mëtejme hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë edhe personin e pestë të dyshuar, nga i cili është sekuestruar një armë zjarri.
Personat e dyshuar, pas intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”. /IndeksOnline/


