75 Mall Live Search
16:54 / E Premte, 15 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Gjuriq: Nuk e pranojmë platformën e Limajt dhe Ahmetit!

Beogradi zyrtar e ka quajtur të papranueshme Platformën e Ekipit negociator të Kosovës rreth birësimeve me Serbinë.

I ashtuquajturi Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se kjo platformë është kundër dialogut me Serbinë.

“E them se kjo platformë është listë dëshirash joreale të separatistëve. Ajo është dëshmi kulmore se Kosova nuk dëshiron dialog”, është shprehur ai.

Ndryshe, draft-platforma e hartuar nga delegacioni i Kosovës i bisedimeve i jep një goditje përpjekjeve për shkëmbim të territoreve.

Aty mes tjerash shkruhet se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm.

Kjo Platformë përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut.

Përmes saj synohet arritja e konsensusit sa më të gjerë politik dhe shoqëror në procesin e dialogut me Serbinë.

Më poshtë, e plotë:

Description: stema_JPG

Republika e Kosovës

Republika Kosova – Republic of Kosovo

Delegacioni Shtetëror i Republikës së Kosovës

PLATFORMA PËR DIALOGUN MBI MARRËVESHJEN PËRFUNDIMTARE, GJITHËPËRFSHIRËSE DHE LIGJËRISHT TË DETYRUESHME PËR NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE MES REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE REPUBLIKËS SË SERBISË

14 Shkurt 2019

Hyrje

1.         Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në pёrputhje me të drejtën ndërkombëtare. Menjëherë pas kësaj, më 9 shtator të vitit 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila e kishte referuar çështjen në Gjykatë për Opinionin e saj Këshillëdhënës, mori parasysh vendimin e Gjykatës dhe inkurajoi dialogun e ardhshëm mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, nën ndёrmjetёsimin e Bashkimit Evropian, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, progresit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimit të jetës së  qytetarёve.

2.         Procesi i dialogut rezultoi me Marrëveshjen e Parë mbi Parimet që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve (nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës dhe Kryeministri i Serbisë më 19 prill të vitit 2013, dhe ratifikuar nga Kuvendi i Kosovёs  me Ligjin Nr. 04/L-199). Janë lidhur disa marrëveshje me qёllim tё normalizimit dhe hapjes tё rrugës drejt integrimit evropian. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka qenë i pjesshëm dhe asimetrik. 

3.         Kosova pret që procesi i dialogut tё intensifikohet dhe përshpejtohet në vitin 2019 me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme. Objektivi i kёsaj marrёveshje ёshtё zgjidhja e tё gjitha çёshtjeve tё hapura, duke u mundësuar të dy shteteve të njohin sovranitetin e njëra-tjetrёs dhe hapur rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

4.         Me 15 Dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Rezolutën  mbi Procesin e Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve Ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.  Kjo rezolutë përveç themelimit të Delegacionit Shtetёror, kërkon edhe hartimin e platformës së dialogut ku do të saktësohen të gjitha parimet udhëheqëse mbi të cilat Delegacioni Shtetëror do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës  në procesin e dialogut. Në përputhje me aktet e Kuvendit, Delegacioni Shtetëror do tё raportojё dhe informojё Kuvendin e Kosovës pёr tё gjitha çёshtjet lidhur me dialogun.

5.         Kjo Platformё paraqet qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës dhe përcakton parimet, qëllimet dhe pritjet e Republikёs sё Kosovës në procesin e dialogut.  Pёrmes saj synohet arritja e konsensusit sa mё tё gjerё  politik dhe shoqёror nё procesin e dialogut me Serbinё.

Parimet kryesore

6.         Delegacioni Shtetëror do të punoj sipas parimeve kryesore në vijim:

Parimi 1: Qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjerisht të detyrueshme:  

  • të ndërpresë të gjitha aktivitetet që pengojnë Republikën e Kosovës në rrugën drejt njohjes ndёrkombёtare si shtet i pavarur dhe sovran;

(b)të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës;

(c) të heqё dorё nga kundërshtimi, ose ndikimi mbi palёt e treta që të kundërshtojnë, çfarëdo aplikimi nga Republika e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE-në, dhe agjencitë e tyre; dhe

(d) të heq dorё nga të gjitha format e ndërhyrjes në çështjet e brendshme apo marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovёs beson se kjo ёshtё  e vetmja mënyrë efektive për të nxitur bashkëpunimin midis dy shteteve, për të arritur progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve, siç edhe parashihet nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të datёs 9 shtator 2010.

Parimi 2: Nuk ka marrёveshje pёr asgjё deri sa tё mos ketё marrёveshje pёr gjithçka. Siç ёshtё theksuar nё Parimin 1, njohja e ndërsjellë duhet tё jetё rezultati primar.

Parimi 3: Kushtetuta e Kosovёs e cila ka pёrfshirё obligimet e dala nga Plani i Ahtisaarit nuk është e hapur për negocim. Ky Plan shënoi pёrmbylljen e njё procesi  tё  negociatave tё autorizuara nga  Kombet e Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës dhe mori përkrahjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare si zgjidhja përfundimtare. Plani shpreh në mënyrë eksplicite atë që kërkohej nga të dyja palët për arritjen e një zgjidhjeje të drejtë, duke imponuar një sërë koncesionesh mbi Republikën e Kosovës pёr ofrimin e garancive për të drejtat e komuniteteve në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kosova i ka zbatuar  me pёrkushtim tё  gjitha  dispozitat e Planit të Ahtisaarit.

Parimi 4: Objektivat politike të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut synojnë zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Republikën e Serbisë, duke përfshirë:

(a) heqjen e të gjitha pengesave të mbetura ndaj ushtrimit të pavarur të kompetencave sovrane të qeverisjes, në përputhje me parimet e mos-intervenimit dhe mos-ndërhyrjes;

(b) avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet tё plotё me komunitetin serb në Republikën e Kosovës;  

(c) promovimin e respektimit nga të gjitha palët e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe refugjatët, së bashku me standardet përkatëse ndërkombëtare të qeverisjes demokratike, llogaridhënëse dhe transparente; dhe

(d) krijimin e mekanizmave të përshtatshëm për të adresuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe drejtës humanitare, përfshirë zbardhjen e fatit tё tё pagjeturve, si dhe reparacionin.

Parimi 5: Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetё e qartё dhe pa dykuptimёsi. Pёrvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar nё zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani. Kjo praktikë mund të rezultojë me stagnim dhe mosmarrëveshje eventuale. Dialogu duhet të vazhdoj derisa të dyja palët të ndajnë një kuptim dhe interpretim të përbashkët të asaj se çfarë është rënë dakord.

Parimi 6: Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj” (Neni 2(2)). Integriteti territorial i Kosovës garantohet gjithashtu nga e drejta ndërkombëtare.

Parimi 7: Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë një nivel tjetër të qeverisjes përveç nivelit lokal dhe qendror. Republika e Kosovës është e përkushtuar për respektimin e dispozitave të Kushtetutës dhe Planit të Ahtisaarit për bashkëpunimin ndër-komunal, por këto dispozita nuk mund të rezultojnë në nivel tjetër të qeverisjes.

Parimi 8: Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj, të drejtat mbi burimet natyrore dhe asetet të cilat janë në territorin sovran të Republikës së Kosovës, janë ekskluzivisht të Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht nuk janë të hapura për negociim. 

Parimi 9: Pёr Republikёn e Kosovёs marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme hyn nё fuqi, vetёm pas plotёsimit tё kushteve nё vijim a) Serbia ka njohur Kosovёn si shtet të pavarur dhe sovran, b) referendumi pёr marrёveshjen ёshtё mbajtur nё Kosovё, dhe  c) marrёveshja ёshtё ratifikuar nga Kuvendet e tё dyja shteteve.

Parimi 10: Para dakordimit lidhur me formatin dhe rrjedhën e procesit të dialogut, Republika e Kosovës do të kërkojë masa të ndërtimit të besimit  nga Republika e Serbisë. Këto masa përfshijnë:

(a) Zotimin që, në kuadër të marrëveshjes për të gjitha çështjet e tjera, delegacioni serb e ka autoritetin që të bie dakord për Parimin 1;

(b) Zotimin nga Republika e Serbisë se do t’i ndërpresë menjëherë të gjitha aktivitetet diplomatike apo aktivitetet tjera që synojnë të pengojnë ose minojnë njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera gjatë kohës sa dialogu është duke vazhduar, dhe se do të përmbahet nga kundërshtimi, ose nga inkurajimi i shteteve të tjera për të kundërshtuar, i aplikimeve të vazhdueshme të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Parimi 11: Në ushtrimin e mandatit të tij, Delegacioni Shtetëror do të funksionoj nёn premisat si nё vijim:  

11.1     Transparenca: Delegacioni do të sigurojë informim të rregullt publik dhe parlamentar mbi ecurinë e dialogut.

11.2     Gjithëpërfshirja: Procesi negociues do të zhvillohet në atë mënyrë që të mundësojë përfaqësimin e interesave të gjithë qytetarëve të Kosovës. Do të ketë një përbërje të gjerë të Delegacionit Shtetëror, të komisionit mbikëqyrës parlamentar dhe të organeve të tjera të përfshira në këtë proces.

11.3     Qasja: Për ato grupe tё interesit që nuk përfaqësohen, Delegacioni Shtetёror do të krijojë një mekanizëm kontakti për të mundësuar pjesëmarrjen efektive në proces. Qёndrimet dhe sygjerimet e tilla do të merren parasysh dhe do të bëhen publike.

11.4     Konsensusi politik: Çdo herё që është e mundur, pozicionet negociuese duhet të merren nё konsensus politik midis partive parlamentare.

Kosova nё kontekstin ndёrkombёtar

7.    Republika e Kosovës është njohur si shtet i pavarur sovran nga 115 shtete. Opinioni  i vitit 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmoi që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kosova është pranuar si shtet anëtar në shumë organizata ndërkombëtare, duke përfshirë: Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatën Botërore të Doganave, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, FIFA, UEFA dhe organizatat e tjera. Megjithatë, njohja e shtetësisë së Kosovës nuk ka qenë universale dhe Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.

Kuptimi i Normalizimit

8.     Procesi i normalizimit dhe marrëveshja eventuale duhet të përfshijë një pranim të qartë, kuptimplotë, të pa kushtëzuar dhe të pakthyeshëm nga Republika e Serbisë të shtetësisë së ligjshme të Kosovës. Kjo përfshinё:

  1. njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës brenda kufijve ekzistues;
  • gatishmërinë për të vendosur marrëdhënie diplomatike; dhe
  • respektimin e plotë të drejtave të Kosovës si një shtet në të drejtën ndërkombëtare.

Përfitimet e njohjes reciproke

9.         Qëndrimi i mbajtur nga Republika e Serbisë që nga viti 2008 ka qenë një pengesë e madhe për realizimin e aspiratave të Kosovës për të marrë pjesë plotësisht në sistemin ndërkombëtar. Serbia ka refuzuar deri më tani që ta njohë zyrtarisht Republikën e Kosovës. Serbia ka ndërmarrë iniciativa diplomatike për t’i bindur shtetet më të vogla që ta tërheqin njohjen e Kosovës, dhe ka marrë hapa për të kundërshtuar ose penguar pranimin e Kosovës si shtet anëtar në organizata të ndryshme ndërkombëtare, sikurse UNESCO dhe INTERPOL. Këto veprime kanë shkelur në mënyrë serioze sovranitetin e Kosovës dhe kanë penguar pjesëmarrjen e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Me hyrjen nё dialog, Kosova është e vendosur që të tejkalojë këto pengesa pёr tё kontribuar nё arenёn ndёrkombёtare si shtet i barabartё.

10.       Është prioritet politik për Kosovën që të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme me Serbinë që lehtëson progresin drejt njohjes universale dhe hap rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Për të marrë të gjitha përgjegjësitë e veta në sistemin ndërkombëtar, dhe për të qenë në gjendje që të merr pjesë plotësisht në çështjet ndërkombëtare, Kosova fillimisht duhet të pranohet në institucionet përkatëse ndërkombëtare në baza të barazisë së plotë, dhe më pas të nënshkruajë dhe ratifikojë një numër edhe më të madh të traktateve ndërkombëtare. Objektivi i përgjithshëm strategjik nuk mund të arrihet plotësisht nën rrethanat aktuale. Pranimi zyrtar i shtetësisë nga Republika e Serbisë është një hap i ardhshëm thelbësor, dhe do të heqë pengesën e fundit politike të mbetur për njohje universale. Rrjedhimisht do të lehtësojë integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar, do të sjellë përfitime ekonomike dhe stabilitet të qëndrueshëm politik.

Normalizimi dhe pranimi në BE

11.       Bashkimi Evropian ka kushtëzuar përfundimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo u theksua edhe në strategjinë e zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në pranverën e vitit 2018:

“Pa normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE, nuk mund të ketë stabilitet që zgjat në rajon. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të avancojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.”          

Krimet e luftёs, personat e pagjetur, viktimat e dhunёs seksuale dhe reparacionet

12.       Pёrgjegjёsia penale dhe reparacionet për krimet e luftës, shkeljet e drejtave të njeriut dhe shkeljeve të së drejtës humanitare në të kaluarën mbeten shqetёsimi kryesor për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj. Dialogu do të përfshijë shtatë shtylla kryesore për ta adresuar këtë:

  • Pёrgjegjёsia penale pёr krime tё luftёs: Marrёveshja pёrfundimtare duhet tё themeloj njё tribunal ekuivalent special për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve tё luftёs tё kryera nga Serbia nё Kosovё nё vitet 1998 dhe 1999. Marrëveshja duhet të sigurojë qё tё ketё afate tё arsyeshme kohore pёr hetime dhe gjykime të tilla. Mosndëshkimi për krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare nuk do të tolerohet.  
  • Dëmshpërblimet e luftës: Serbia është përgjegjëse për të paguar një shifër ekuivalente për dëmshpërblimet e luftës si kompensim për humbjet ekonomike që i atribuohen drejtpërdrejt veprimeve të Republikës së Serbisë gjatë luftёs. Në dialogun e ardhshëm do të duhet të përcaktohen parimet me të cilat duhet të kuantifikohen këto kërkesa përkatëse, si dhe të bihet dakord për një mekanizёm neutral për të kryer vlerësimet.
  • Mekanizmi i kompensimit tё viktimave tё luftёs: Duhet tё ketё një mekanizëm  nëpërmjet të cilit (i) individët e prekur nga shkeljet e të drejtës humanitare të kryera gjatë luftёs mund të kërkojnë kompensim për humbjet materiale dhe jomateriale që i atribuohen këtyre shkeljeve gjatë luftёs;  (ii) individët mund të kërkojnë kthimin e tё mirave materiale, kursimeve dhe pensioneve që nuk kanë qenë në gjendje t’i përfitojnë që nga lufta.
  • Zbardhja e fatit tё personave tё pagjetur: Republika e Kosovёs do tё kёrkoj qё çёshtja e personave tё pagjetur tё adresohet si temё me urgjencёn dhe pёrgjegjёsinё mё tё lartё shtetёrore nga Republika e Serbisё. Kosova  do tё kёrkoj nga Serbia qё: (i) tё ofroj informata nga arkivat policore, ushtarake dhe nga organet tjera tё sigurisё; (ii) tё kryej gёrmimet nё vendet potenciale tё varrezave; (iii) tё shpejtoj zgjidhjen e lёndёve qё lidhen me personat e pagjetur; dhe (iv) tё sjell menjёherё para drejtёsisё kryerësit e kёtyre krimeve.
  • Drejtёsi pёr viktimat e dhunёs seksuale gjatë luftёs: Pёr viktimat e dhunёs seksuale, Kosova do të kërkoj drejtёsi, rehabilitim dhe dёmshёrblim pёr vuajtjet denigruese dhe çnjerёzore tё shkaktuara nga Serbia gjatё luftёs nё Kosovё.
  • Kthimi i pronës: Duhet të ndërmerren masa efektive për të siguruar kthimin e arkivave dhe dokumenteve zyrtare të marra nga Kosova gjatë luftёs, si dhe të objekteve kulturore dhe objekteve tjera të marra nga muzetë dhe institucionet publike.
  • Kthimi i qytetarëve në pronat e tyre: Sikurse obligimet që Republika e Kosovës i ka marr si pjesë e Planit të Ahtisarit për personat e zhvendosur, qëndrimi i Kosovës është që të gjithë qytetarët duhet ta gëzojnë të drejtën e kthimit në pronat e tyre pa pengesa. Kjo përfshinë kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre ne veriun e Kosovës dhe në Serbi.

13.       Një proces i llogaritjes së ndërsjellë duhet të zhvillohet në nivel ndërshtetëror në lidhje me suksesionin aseteve dhe borxhit kombëtare të ish Jugosllavisë dhe reparacioneve të luftës. Procesi i dialogut do të duhet t’i përcaktojë parimet e zbatueshme dhe mekanizmin për kuantifikimin e pretendimeve përkatëse. Nga ana e saj, Republika e Kosovës ka pranuar, që nga miratimi i Planit të Ahtisaarit, se është e gatshme të merr përsipër pjesën e saj të drejtë të borxhit kombëtar të ish Jugosllavisë. Kundrejt kësaj, Republika e Serbisë ka detyrim qё ta ndaj pjesën e drejtë të Kosovës për asetet publike të ish Jugosllavisë.

Mbrojtja e të drejtave të komuniteteve

14.       Kosova ka dëshmuar për shumë vite që i ka përmbushur plotësisht detyrimet e parapara në Planin e Ahtisaarit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, duke miratuar dhe zbatuar plotësisht legjislacionin përkatës. Në këtë drejtim, Kosova ka përparuar përtej standardeve ndërkombëtare dhe përfaqëson një nga sistemet më të avancuara në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Është thelbësore që angazhimi i Serbisë ndaj këtyre parimeve të përputhet me atë të Kosovës, në bazë të barazisë dhe reciprocitetit. Shqiptarët jashtë vendit, duke përfshirë ata që jetojnë në Republikën e Serbisë, nuk duhet të kenë më pak të drejta për të shfaqur dhe treguar identitetin e tyre dhe për të jetuar me dinjitet sesa serbët që jetojnë në Kosovë. Procesi i dialogut duhet të siguroj barazinë e dispozitave në të dy anët e kufirit në një nivel të lartë të të drejtës ligjore.

Suksesioni në traktatet ndërkombëtare

15.       Ashtu si shtetet e tjera përbërëse të ish Jugosllavisë, çështja e suksesionit të Kosovës ndaj detyrimeve të traktateve ndërkombëtare duhet të zgjidhet sipas parimeve të vendosura të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe Konventёn e Vjenёs pёr Suksesionin e Shteteve lidhur me Traktatet. Për këtë qëllim, do të kërkohen këshilla të specializuara ligjore. Shpresohet dhe parashikohet që aranzhimet e nevojshme të bëhen me kohë në mënyrë që të përfshihen në marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese.

Çështjet e tjera

16.       Marrёveshja gjithёpёrfshirёse ligjёrisht e obligueshme, nё mes tё Republikёs sё Kosovёs dhe Republikёs sё Serbisё, do të pёrmbajë edhe dispozitat kornizё qё rregullojnё çёshtjet teknike si nё vijim: (a) bashkëpunimin ndërkufitar; (b) lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit; (c) doganat dhe tregtinë; (d) politikat dhe furnizimin e energjisë, (e) transportin, telekomunikacionin dhe transmetimin; (f) bashkëpunimin në nismat edukative, si dhe shkëmbimet akademike dhe kulturore.

Shfuqizimi i Rezolutёs  1244 (1999)

17.       Kosova nuk është më një shtet i sapo dalë nga lufta. Pavarësia e mbikëqyrur ndërkombëtarisht u përmbyll me sukses në vitin 2012. Ky fakt duhet të rezultoj me shfuqizimin e plotë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së (1999).

Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.  Kjo duhet të ndodh për të siguruar që marrëveshja të ketë shkallën e nevojshme të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar. Rezultati përfundimtar në këtë proces është votimi në Këshillimin e Sigurimit dhe Asamblenë e Përgjithshme për të siguruar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Zbatimi

18.        Marrëveshja do të arrihet nën ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-ve, të cilat gjithashtu duhet tё shërbejnë si garantues të zbatimit të obligimeve që parashihen në marrëveshje. Këto do të mbështesin vlerësimet dhe shqyrtimet e rregullta të zbatimit dhe do të jenë në dispozicion, me kërkesë të cilësdo palë, që të merren me çështjet e zbatimit me palët në marrëveshje. Duhet të ketë edhe dispozita që mbulojnë pasojat e mos-përmbushjes së marrëveshjes.

Progresi në hapjen e kapitujve në lidhje me anëtarësimin në BE duhet të kushtëzohet nga BE me zbatimin e plotë të obligimeve që rrjedhin nga marrëveshja. Duke pasur parasysh përfshirjen e BE-së, duhet të bëhet e qartë që dështimi në zbatimin e marrëveshjes do të konsiderohet si dështim në arritjen e normalizimit të kërkuar, i cili është parakusht për anëtarësimin e Republikës së Serbisë në BE (Kapitulli 35). Përfundimisht, BE-ja dhe vendet anëtare të saj nuk duhet t’i konsiderojnë zotimet që dalin nga Kapitulli 35 si të përmbushura deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme dhe zbatimit të saj në të gjitha aspektet.

Zgjidhja e mosmarrёveshjeve

19.       Pa marrë parasysh me sa kujdes është formuluar, marrëveshja përfundimtare mund të jap shkas për shfaqjen e mos-pajtimeve lidhur me  interpretimin ose implementimin e saj. Marrëveshja duhet të parasheh procedura të qarta për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla. Në mungesë të zgjidhjes me marrëveshje ose ndërmjetësim, duhet të ketë dispozita për arbitrazh të detyrueshëm.

Konkluzionet

20.       Republika e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërkombëtar mbi parimet e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Republika e Kosovës fton Republikën e Serbisë që të shfrytëzoj këtë mundësi dhe të pranojnë realitetet aktuale në një mënyrë që tregon një angazhim të sinqertë drejt progresit konstruktiv. Nga ana e saj, Kosova është e gatshme, si pjesë e marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese, për të negociuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe marrёdhёnie tё mira fqinjёsore me Republikën e Serbisë.

Fund