14:51 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

Gjuriqit sërish i ndalohet hyrja në Kosovë, Vuçiq takohet me serbët

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka akuzuar Prishtinën zyrtare se nuk e kanë lejuar të vizitojë sot Leshakun në veri të Kosovës, ku “serbëve duhej t’u dorëzoheshin ndihma”.

Gjuriq tha në një konferencë për shtyp se vizita u paralajmërua në pajtim me marrëveshjen mbi vizitat e zyrtarëve dhe se ky ndalim, sipas tij, nuk ishte rastësi, por “rezultat i nervozizmit të Prishtinës”.

Ai paralajmëroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohet të premten në Beograd me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe udhëheqësit serbë të institucioneve në Kosovë, me të cilët do të bisedojë për hapat e mëtejmë.

“Të gjithë hapat e mëvonshme do të merren në marrëveshje me përfaqësuesit e zgjedhur të popullit serb dhe përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë”, tha Gjuriq.

Ai uroi Listën Serbe për fitore në katër komunat në veri, duke thënë se Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku të mbeten serbe dhe në lidhje institucionale dhe organike me Serbinë. /Indeksonline/