Gjykata Administrative/ Kabineti qeveritar sot merr vendim për projektligjin e hartuar nga MD

Qeveria e Kosovës ka nisur punën për themelimin e Gjykatës Administrative, transmeton IndeksOnline.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë pritet të votohet sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar.
Ditë më parë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se për herë të parë do të ketë Gjykatë Administrative të Specializuar në vend.
Haxhiu përmes një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë kishte thënë se një nga reformat që kanë premtuar ka qenë edhe çështja e reformës administrative.
Sipas saj, Gjykata Administrative do t’i trajtojë të gjitha kontestet administrative dhe ato të punës në sektorin publik.
“Pas procedimit në Kuvendin e Kosovës të projektligjit për kontestet administrative tani i ka ardh radha dhe Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës. Ky koncept dokument i adreson problemet në kontestet gjyqësore dhe administrative dhe kontestet e punës në gjykata. Për herë të parë në Kosovë do të kemi Gjykata Administrative të Specializuara. Gjykata Administrative do t’i trajtojë të gjithë kontestet administrative dhe ato të punës në sektorin publik. Dhe në anën tjetër divizionet e veçanta do të trajtojnë kontestet e punës të cilat vijnë nga sektori privat. Sektorit privat do t’ju ofrohet ndihmë juridike falas nga shteti”, ka thënë Haxhiu.
Po ashtu ajo theksoi se janë më shumë se 10 mijë lëndë në gjykata./IndeksOnline/