Gjykata anulon tarifat/ Trump bën lëvizje të papritur, vendos taksë të re prej 10 për qind
Presidenti amerikan, Donald Trump tha të premten se do të vendosë menjëherë një tarifë globale prej 10 për qind sipas një ligji tregtar të njohur si Neni 122, pas vendimit historik të Gjykatës së Lartë.
Me një vendim 6-3, gjyqtarët konstatuan se lideri amerikan nuk kishte autoritet për të vendosur tarifa të gjera duke u bazuar në autorizimin emergjent ekonomik, shkruan cnn.
Por, ndryshe nga tarifat e mëparshme që Trump kishte vendosur, këto tarifa të reja mund të jenë në fuqi vetëm për maksimumi 150 ditë, përveçse nëse Kongresi amerikan jep miratimin për një zgjatje.
Trump gjithashtu i tha gazetarëve se do të nisë disa hetime të reja, të cilat janë parapërgatitje të nevojshme për vendosjen e tarifave sipas një ligji tjetër tregtar të njohur si Neni 301.
Ai gjithashtu falënderoi tre gjyqtarët që votuan në favor të tij, para se të shtonte se vendet e huaja, “që na mashtrojnë prej vitesh”, tani “po kërcënojnë në rrugë”.
“Nuk do të kërcënojnë gjatë, këtë mund t’ju siguroj”, shtoi ai “demokratët në gjykatë janë të kënaqur… automatikisht votojnë kundër”.
Ndryshe, Gjykata e Lartë njoftoi se fuqia emergjente mbi të cilën u mbështet lideri amerikan për të imponuar tarifat “nuk mjafton” për të justifikuar vendosjen e tyre sipas përmasës dhe qëllimit që ata kishin.Gjykata e konsideroi këtë një shkelje të kufizimeve ligjore që ndahen midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, sipas Kushtetutës së SHBA-së.
Si rezultat, shumica e tarifave të vendosura nën këtë ligj emergjent tani mund të shpallen të paligjshme, dhe kompanitë që paguan këto tarifa mund të kërkojnë rimbursime për shumën e paguar gjatë periudhës që ato ishin në fuqi.

