Gjykata aprovon kërkesën e prokurorit, urdhëron sekuestrimin e përkohshëm të villave në Brezovicë

Prishtinë, 9 nëntor 2022 – Lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë tashmë mban edhe vulën e gjykatës.
Lidhur me këtë rast, por edhe me rastet tjera Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorit, për sekuestrimin e përkohshëm të villave në Brezovicë.
Lajmin për sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi”, Shaqë Curri, gjykatës i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë.
“Kam urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm”, ka thënë Curri.
Vikend-shtëpizat e ndërtuara ilegalisht në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” u sekuestruan muajin që shkoi. Atyre iu ngjitën shiritat i Policisë dhe iu ndaluan punimet. Pronarët e tyre do të njofton për sekuestrimin e tyre.
Në listën e 75 pronave, kryesisht villa, figurojnë emrat e pronarëve që përfshijnë si pronarë, gjykatës të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë si dhe qytetarëve të tjerë, të cilët kanë blerë villa apo kanë blerë parcela dhe më pas kanë ndërtuar villa.
Ajo që bie në sy në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të trija nivelit e gjyqësorit. Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit, si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme. Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.