Gjykata e Apelit redukton sërish orarin e punës shkaku i temperaturave të larta

Gjykata e Apelit ka marrë vendim për të reduktuar orarin e punës për shkak të temperaturave të larta.
“Gjykata e Apelit e Kosovës njofton se, në bazë të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nr.261/2025, të datës 27 qershor 2025, si dhe për shkak të ndryshimeve klimatike dhe paralajmërimeve nga institucionet kompetente për temperatura jashtëzakonisht të larta në ditët në vijim, nga sot, kjo gjykatë do të punojë me orar të reduktuar”, thuhet në njoftim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Apeli njofton se këto masa do të rishikohen në vazhdimësi, varësisht nga kushtet klimatike dhe vlerësimit të menaxhmentit të gjykatës, në bazë të rrethanave teknike.
Më 2 korrik, Apeli kishte vendosur ta reduktojë orarin e punës për shkak të temperaturave të larta. Por, pas uljes së temperaturave, kjo Gjykatë kishte kthyer orarin e rregullt.
Ndryshe, për shkak të temperaturave të larta në objektin e Pallatit të Drejtësisë edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, Gjykata Supreme dhe Gjykata Komerciale, kanë reduktuar orarin e punës.
Gjendjen me temperatura në objektin e Pallatit të Drejtësisë, “Betimi për Drejtësi” e trajtoi edhe në emisionin me titull “Drejtësia në prush”, i cili u transmetua më 12 korrik 2025.