75 Mall Live Search
20:34 / E Mërkurë, 13 Gusht 2025 / S Z

Gjykata e Hagës ia ndalon të drejtën Fahri Fazliut ta takojë të atin

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, po mbahet në paraburgim në Hagë nën akuzat për pengim të drejtësisë. Prej gati një viti, djali i tij, Fahriu, thotë se nuk i lejohet as të komunikojë dhe as ta takojë, ndryshe nga familjarët e tjerë që kanë këtë të drejtë. Ai e quan këtë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe rrëfen mallin për të atin.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, po mbahet në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë, i akuzuar për pengim të drejtësisë. Pothuajse prej një viti, djali i tij, Fahriu, pohon se nuk i lejohet asnjë lloj kontakti me babanë, ndërsa  kujtimin e tij e mban gjithnjë pranë, përmes një fotografie.

Fahriu thotë se po i shkelen të drejtat nga Gjykata në Hagë.

“Këtë muaj që po hyjmë po behën 9 muaj që s’po munden ta takoj babin tim, as ta shohë në video lidhje as ta takoj në mënyrë fizike, ku ai po qëndron atje padrejtësisht. Është një mërzi e madhe si djalë i tij, por mendoj që është një shkelje e madhe e të drejtave të njeriut që s’po më lejohet ta takoj vetëm njëherë babin tim”, tha Fahri Fazliu, biri i Fadil Fazliut.

Megjithëse, familjarët e tjerë gëzojnë të drejtën për ta takuar dhe për të komunikuar me të, Fahriu thotë se nuk e kupton arsyen pse po i mohohet kontakti me babanë teksa thekson se ende nuk ka marrë përgjigje nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Në dhjetor kur kemi kërkuar si familje të shkojmë ta vizitojmë më nënën, vëllain dhe motrën, më është kkthyer email nga Dhomat e Specializuara që “nuk mundesh ta takosh, as në mënyrë fizike, as përmes videolidhjes, dhe asnjë arsyetim i vetëm nuk ka qenë pse unë nuk kam të drejtë ta takoj babin tim”, theksoi Fahriu.

Ai tregon për mallin që ndjen për babanë dhe për lidhjen e veçantë mes tyre, duke theksuar se mungesën e tij e ndjen në çdo moment.

“Mungesa e tij është e madhe, sepse, si çdo fëmijë, edhe unë, por ndoshta pse kam qenë fëmija më i madh, kam qenë më i lidhur me të, po edhe siç ma kanë lënë edhe emrin e vëllait të Fadilit- dëshmor. Është një mungesë e madhe, ishte edhe ditëlindja e tij, ndihet mungesa e tij në shoqëri, në familje, shtëpi, në përvjetorët e dëshmorëve që i kemi , se është një boshllëk i madh pa kryefamiljarin këtu”, shtoi ai.

Fahriu thotë se problemin më të madh e ka se nuk ka institucion se ku ta paraqesë këtë shqetësim, por mbetet me shpreson se drejtësia do të triumfojë.