75 Mall Live Search
11:28 / E Shtunë, 13 Qershor 2026 / F.R

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë IKD-së ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave

Përmes vendimit të 1 qershor 2026, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar si të papranueshme kërkesën e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për anulimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supremes, përmes të cilit ishte miratuar kërkesëpadia e IKD-së duke shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së punës së KPM. Gjykata Kushtetuese, mes tjerash, ka konstatuar se pretendimet e KPM-së për shkelje të pavarësisë organizative dhe funksionale të tij, janë pretendime qartazi të pabazuara në Kushtetutë.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Ehat Miftaraj, më 29 janar të 2025-ës kishte ushtruar padi ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) lidhur me ndryshimin e Rregullores së Punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM-së të mbajtur më 17 janar. Gjithashtu, IKD kërkonte që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.

Ndryshe, sa i përket ndryshimit të rregullores, KPM në atë mbledhje ka shtuar një paragraf (2) në nenin 3 të saj, përmes të cilit u mundësua zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së, përderisa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025.

Përmes vendimit të 10 qershorit 2025, Gjykata Supreme kishte aprovuar kërkesëpadinë e IKD-së ndaj KPM-së, duke e shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.

Ndërsa, në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 17 dhjetorit 2025, thuhet se pasi Gjykata shqyrtoi me kujdes shkresat e lëndës, pretendimet e palës paditëse, kundërshtime e palës së paditur, provat e administruara gjatë shqyrtimit kryesor, si dhe aktgjykimin relevant të Supremes, vlerësoi se padia e paditësit është e bazuar dhe se vendimi i KPM-së për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, është i kundërligjshëm dhe si i tillë duhet të deklarohet i paligjshëm.

Ndërkaq, KPM në Gjykatën Kushtetuese ka kontestuar aktgjykimin e 10 qershorit të vitit 2025, të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku kishte kërkuar që të konstatohej se KPM nuk kishte vepruar në pajtim me Kushtetutën dhe të konfirmohej pavarësia organizative dhe funksionale e saj si institucion i pavarur kushtetues.

Pra, objekt i çështjes në Gjykatën Kushtetuese ka qenë vlerësimi i kushtetueshmërisë së këtij aktgjykimi të Supremes, ku KPM kishte pretenduar se të njëjtës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, konkretisht nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Mes tjerash, KPM kishte pretenduar se Rregullorja e Punës së KPM-së ishte ndryshuar me qëllim që kryetari i saj të votohej një muaj më herët, me kusht që mandati i kryetarit të zgjedhur, të fillojë pas skadimit të mandatit të kryetarit aktual, në pajtim me praktikën e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë kontekst, sipas KPM-së, “Gjykata Supreme, në mungesë të një instance të rregullt për rishikimin e vendimeve të saj (sepse në bazë të Ligjit për Konfliktet Administrative për paditë kundër akteve normative vendos si shkallë e parë dhe e vetme) në mënyrë arbitrare ka vendosur për një çështje të  ndjeshme e cila në thelb prek statusin kushtetues të KPM-së, duke vlerësuar se KPM  duhet pyetur subjektet e jashtme se si dhe kur mund të zgjedh kryetarin e saj”.

Po ashtu, KPM ka pretenduar se Gjykata Supreme nuk kishte marrë parasysh pavarësinë funksionale të këtij institucioni dhe se kishte anashkaluar nenin 6 dhe nenin 10, paragrafi 4 të Ligjit për KPM-në, të cilat sipas saj garantojnë pavarësinë në punën dhe aktivitetet e Komisionit.

Sipas KPM-së, këto dispozita ia ndalojnë Komisionit që të kërkojë ose pranojë udhëzime nga jashtë lidhur me aktivitetet dhe detyrat e tij.

KPM po ashtu kishte theksuar se Rregullorja e Punës është akt i brendshëm, i cili rregullon ekskluzivisht mënyrën e funksionimit të brendshëm të anëtarëve të KPM-së dhe Zyrës Ekzekutive.

Sipas saj, kjo rregullore nuk është akt normativ nënligjor që prek të drejtat, detyrimet dhe interesat e publikut të gjerë apo të subjekteve mediale që licencohen nga KPM-ja.

KPM kishte kundërshtuar edhe qëndrimin e Supremes se kjo rregullore duhej t’i nënshtrohej konsultimit publik.

Sipas pretendimeve të saj, publikimi i Rregullores së Punës për konsultim publik, për të marrë sugjerime lidhur me kohën kur KPM mund ta votojë kryetarin, do të ishte në kundërshtim me natyrën e këtij akti si akt i brendshëm.

KPM kishte theksuar se rregulloret e brendshme, me theks të veçantë Rregullorja e Punës së KPM-së, asnjëherë nuk janë vënë në dispozicion për konsultim publik që nga hyrja në fuqi e Ligjit për KPM-në në vitin 2012.

Po ashtu, KPM kishte pretenduar se Gjykata Supreme nuk e kishte arsyetuar cenimin e interesit publik nga kjo rregullore, duke thënë se një gjë e tillë ishte kërkesë ligjore.

Në kërkesë, KPM kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta anulonte Aktgjykimin e Supremes, të konstatohej se KPM kishte vepruar në pajtim me Kushtetutën dhe të konfirmohej pavarësia organizative dhe funksionale e saj si institucion i pavarur kushtetues.

Në trajtimin e pretendimeve të KPM-së për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ka vërejtur se parashtruesi i kërkesës kishte pretenduar se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk kishte argumentuar dhe arsyetuar cenimin e interesit publik nga një akt i brendshëm, që sipas KPM-së ishte kërkesë ligjore për shqyrtimin e padisë për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ.

Po ashtu, KPM kishte pretenduar se Gjykata Supreme, si vendim i shkallës së parë dhe të vetme, kishte interpretuar në mënyrë arbitrare të drejtën materiale, kur kishte kundërshtuar paragrafin 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së.

Sipas vendimit, KPM kishte theksuar se, në këtë rast, ishte ndjekur shembulli i Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese dhe se kjo çështje, sipas saj, prekte statusin kushtetues të KPM-së, duke vlerësuar se KPM duhej të pyeste subjektet e jashtme se si dhe kur mund ta zgjedhë kryetarin e saj.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se fillimisht gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-ë dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti.

“Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund ta shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës”, thuhet tutje në këtë vendim.

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se pretendimet e KPM-së në këtë pjesë në thelb ndërlidhen me pretendimin se Gjykata Supreme ka interpretuar në mënyrë arbitrare të drejtën materiale, përkatësisht Ligjin për KPM-në.

Ndërsa, lidhur me pretendimet se Gjykata Supreme ka interpretuar në mënyrë arbitrare të drejtën materiale, respektivisht Ligjin për KPM-në, në vendim thuhet se Gjykata Kushtetuese ka trajtuar në dritën e standardeve të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, GJEDNJ vazhdimisht ka theksuar se, shikuar në përgjithësi, nuk është detyrë e saj të trajtojë gabimet faktike ose ligjore të një gjykatë vendore, përveç nëse dhe në masën që ato gabime janë evidente dhe përbëjnë shkelje të të drejtave dhe lirive të mbrojtura me KEDNJ.

“Megjithatë, si rregull, GJEDNJ nuk mund të vë në pikëpyetje konstatimet dhe gjetjet e gjykatave vendore, ndër të tjera, lidhur me interpretimin dhe aplikimin e së drejtës së brendshme: pikësëpari gjykatat vendore janë të obliguara të zgjidhin probleme lidhur me interpretimin e legjislacionit vendor…”. thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku përmenden raste konkrete të GJEDNJ.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka konsideruar se Gjykata Supreme u ka dhënë përgjigje pretendimeve të KPM, duke elaboruar të drejtën materiale dhe procedurale të aplikueshme në rastin konkret.

Për më tepër, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se nga arsyetimi i konkluzionit të Gjykatës Supreme, në dritën e rrethanave të rastit konkret, nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e Gjykatës Supreme.

Gjithashtu, thuhet edhe se nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje në padi dhe në faza të ndryshme të procedurës i ishte dhënë mundësia e paraqitjes së argumenteve dhe provave që i janë dukur relevante për rastin e vet.

“Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe, si të tilla, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës”, thuhet tutje në vendimin e Kushtetueses.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet e KPM-së për shkelje të pavarësisë organizative dhe funksionale të tij, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se janë pretendime qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, për shkak të “mungesës së dukshme apo evidente të shkeljes”.