75 Mall Live Search
14:52 / E Mërkurë, 08 Tetor 2025 / b l

Gjykata merr vendim: 8 vjet burgim për Fatlum Mehmetin për vrasjen e kolegut Lirim Haxholli

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-policit Fatlum Mehmetit, lidhur me akuzën për vrasjen e policit në Zllatar. Ai u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Vrasje me dashje eventuale”.

Në këtë rast, Fatlum Mehmeti akuzohej se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të 2022,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën me shumicë votash nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla- kryetar dhe anëtarët: Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.

Ndaj Mehmetit u caktua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, pasi vendimi të marrë formën e prerë.

Të akuzuarit Mehmeti me aktvendim të veçantë i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

I akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- për paushallin gjyqësor shumën prej 200 euro dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Prezent në shpallje ishin prokurori Arben Hoti, i akuzuari Fatlum Mehmeti me avokatin e tij Labinot Buzuku dhe pala e dëmtuar.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohej se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Andaj, me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.