Gjykata merr vendim për ish-prokurorin Ali Rexha, kërcënoi prokurorin Lulzim Sulejmani

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka vepruar sipas kërkesës për caktimin e masës Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit dhe të pandehurit A.R i ka caktuar masën e sigurisë Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.