Gjykata miraton kërkesën e Dodikut, dënimi me burg i konvertohet në gjobë

Gjykata e Bosnje-Hercegovinës e ka miratuar kërkesën që dënimi me burgim ndaj Millorad Dodikut të ndryshohet në dënim me gjobë, në përputhje me ligjet që e parashohin këtë gjë.
Dodiku ishte kryetar i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, deri kur iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë.
Gjykata ka bërë të ditur të martën se “në përputhje me dispozitat ligjore, është marrë vendimi që, pas deklarimit të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, të miratohet propozimi i mbrojtjes dhe dënimi me burg i shqiptuar ndaj të dënuarit Millorad Dodik të zëvendësohet me gjobë”.
Kodi Penal i Bosnje – Hercegovinës parasheh mundësinë e zëvendësimit të dënimit me burgim që shkon deri në një vit, ku një ditë burg llogaritet 100 marka (50 euro). Për shlyerje të një viti burgim, Dodiku do t’i paguajë rreth 36.500 marka, që janë pak më shumë se 18.000 euro.
Dodiku është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt.