75 Mall Live Search
22:10 / E Martë, 09 Shtator 2025 / Burim

Gjykata në Baku lë në fuqi dënimin me 9 vjet burgim ndaj gazetarit të REL-it

Një gjykatë në Azerbajxhan ka lënë në fuqi dënimin me nëntë vjet burgim ndaj gazetarit dhe ekonomistit Farid Mehralizada.

Ai është dënuar lidhur me akuzat që lidhen për raportimet e tij të bëra për Shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë.

Gjykata e Krimeve të Rënda në Baku më 9 shtator hodhi poshtë apelimet ndaj dënimeve të Mehralizadas dhe gjashtë gazetarëve të tjerë, të cilët të gjithë mohuan akuzat. Grupi fillimisht ishte dënuar me nga 7 vjet e gjysmë deri në 9 vjet burg më 20 qershor.

“Dënojmë fuqishëm vendimin e gjykatës për të lënë në fuqi vendimin e padrejtë dhe të pabazë ndaj Faridit”, tha presidenti i REL-it, Steve Capus.

“Sot do të duhej të ishte dita kur Faridi të kthehej te bashkëshortja dhe fëmija i tyre. Në vend të kësaj, ai mbetet prapa grilave, i privuar nga drejtësia që meriton”, shtoi Capus.

Mehralizada u ndalua për herë të parë më 30 maj 2024, kur agjentë të sigurisë e sulmuan, i vunë një kapuç në kokë dhe i pëshpëritën në vesh: “Ju flisni shumë”.

Dy ditë më vonë, një gjykatë në Baku i caktoi atij masën e paraburgimit për “komplot për kontrabandë të valutës së huaj”, në lidhje me një çështje që autoritetet azere kishin ngritur kundër Abzas Media.

Menjëherë pas arrestimit, Abzas Media lëshoi një deklaratë duke theksuar se Mehralizada nuk kishte asnjë përfshirje të drejtpërdrejtë me këtë media dhe ishte vetëm një nga shumë ekspertët, komentet e të cilëve shfaqeshin në ueb-faqen e saj.

Themeluesi i Abzas, Ulvi Hasanli dhe kryeredaktori Sevinj Abbasova u dënuan po ashtu me nëntë vjet burgim gjatë seancës së 20 qershorit.

Punonjësi i Abzas, Mahammad Kekalov, u dënua me shtatë vjet e gjysmë burgim, ndërkaq kryeredaktori i agjencisë Turan, Hafiz Babali u dënua me nëntë vjet. Gazetarët Nargiz Absalamova dhe Elnara Gasimova u dënuan me nga tetë vjet burgim.

Gjatë gjykimit, Mehralizada kishte përshkruar rrethanat e arrestimit të tij, duke i përdorur si provë në rastin që ishte i motivuar politikisht për shkak të “mendimeve të mia kritike sa i përket politikave sociale dhe ekonomike që zbatohen në Azerbajxhan”.

Analizat ekonomike të Mehralizadas shpesh kritikonin varësinë e Azerbajxhanit nga nafta dhe gazi dhe vinin në pikëpyetje statistikat zyrtare për papunësinë dhe varfërinë.

Fillimisht ai u akuzua për kontrabandë, por më pas iu shtuan edhe akuza të tjera, përfshirë sipërmarrje të paligjshme, shmangie të tatimeve, kontrabandë në grup dhe falsifikim dokumentesh – akuza që ai dhe mbështetësit e tij i cilësuan të sajuara dhe si një tjetër dëshmi se çështja po nxitet nga forca politike.

Që prej marrjes së pushtetit pak para vdekjes së paraardhësit, njëherësh babait të tij, Heydar Aliyev, në vitin 2003, presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev është përballur me akuza për shtypje të disidencës përmes ndalimit të gazetarëve, figurave opozitare dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

Ky trend duket se është përshkallëzuar kohët e fundit, me mbi 30 gazetarë dhe avokues të të drejtave të njeriut të arrestuar për akuza të ngjashme, të cilat institucionet ndërkombëtare i konsiderojnë si të motivuara politikisht.

Megjithatë, autoritetet në Azerbajxhan i mohojnë vazhdimisht këto pretendime. Në rastin e Mehralizadas dhe të tjerëve të arrestuar së fundi, qeveria ngul këmbë se arrestimet e tyre burojnë nga vepra të caktuara kriminale, jo nga hakmarrja politike. /REL