Gjykata në Londër rrëzon padinë e babait të Amy Winehouse për sendet personale të këngëtares
Një gjykatës në London ka vendosur kundër Mitch Winehouse, i cili kishte paditur dy mike të vajzës së tij për përfitime nga shitja e sendeve personale të këngëtares së ndjerë Amy Winehouse.
Padia u shqyrtua në Gjykatën e Lartë, ku Mitch Winehouse pretendoi se Naomi Parry dhe Catriona Gourlay nuk kishin të drejtë të shisnin sendet personale të artistes në ankand në Shtetet e Bashkuara, shkruan abcnews, transmeton IndeksOnline.
Sipas vendimit të gjykatës, Parry kishte fituar rreth 878 mijë dollarë nga shitja e 56 artikujve në një ankand të organizuar nga Julien’s Auctions në Los Angeles në vitin 2021. Ndër artikujt më të shtrenjtë ishte një fustan mëndafshi mini, i veshur nga këngëtarja gjatë performancës së saj të fundit në Serbi, i cili u shit për mbi 243 mijë dollarë.
Ndërkohë, Gourlay kishte përfituar rreth 344 mijë dollarë nga shitja e 85 sendeve të tjera.
Gjykata vendosi se padia e Mitch Winehouse nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për të ndaluar shitjen apo për të kërkuar kompensim.
Amy Winehouse ndërroi jetë në vitin 2011 në moshën 27-vjeçare në shtëpinë e saj në Londër si pasojë e helmimit nga alkooli, duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme në muzikën bashkëkohore.

