75 Mall Live Search
12:06 / E Premte, 06 Nëntor 2020 / OSH

Gjykata Speciale “me dorë të hekurt” mbi UÇK/ Qe 4 orë tek shtëpia e Thaçit, Veselit dhe Selimit

Janë bërë më shumë se 4 orë që kur forca të shumta të  EULEX-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë pozicionuar në tre lokacione, për të kryer bastisje.

Pas konfirmimit të aktakuzave për Hashim Thaçin, Kadri Veselin  dhe Rexhep Selimin, EULEX po bastisë shtëpitë e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u transferuan dje për në Hagë.

IndeksOnline, që nga orët e hershme të mëngjesit po raporton në vazhdimësi për aksionin në fjalë, të cilin me anë të një komunikate për media e ka konfirmuar edhe Specialja.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim, transmeton IndeksOnline.

Në të njëjtën kohë që po zhvilloheshin bastisjet, qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje në lidhje me zhvillimet e fundit.

Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se Qeveria është e përgatitur për ndonjë incident të mundshëm pas këtyre zhvillmeve.

“Policia ka inkorporuar në planin e saj, përfshinë masat që kanë mbrojtjen e zonave në popullsi të përzier në rast të ndonjë incidenti të mundshëm por edhe plani që përmban të gjitha skenarët e mundshëm. Policia ka vendosur që të gjitha mjetet për t’u përgjigjur në një situatë të mundshme, është rritur niveli i gatishmërisë.Nuk kemi asnjë dyshim që lufta ka qenë luftë që ka mbrojtur vlerat më sublime”, tha ai.

Më herët gjatë javës, Specialja kishte bastisur edhe shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili poashtu ndodhet në Hagë.

Ndaj Krasniqit, seanca dëgjimore do mbahet të hënën me fillim prej orës 11:00.

IndeksOnline do t’iu mbajë të informuar për të gjitha zhvillimet. /IndeksOnline/