75 Mall Live Search
17:30 / E Hënë, 09 Shkurt 2026 / F.R

Gjykata Speciale: Midis së vërtetës historike dhe drejtësisë selektive

Shkruan: Jetmira Rexhepi

Formimi i Gjykatës Speciale të Kosovës nuk mund të shihet vetëm si proces juridik, por si rezultat i një dinamike të ndërlikuar politike ndërkombëtare, e ndërtuar mbi pretendime të diskutueshme dhe raporte që kurrë nuk u verifikuan plotësisht në mënyrë të pavarur dhe gjithëpërfshirëse.

Zanafilla e kësaj gjykate gjendet në shkrime dhe raporte, veçanërisht në deklaratat e ish-Prokurores së Tribunalit për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, e cila në vitin 2008 hodhi akuza të rënda, të njohura si rasti i ashtuquajtur i “Shtëpisë së Verdhë”. Këto pretendime ndikuan drejtpërdrejt në krijimin e një narrative kriminalizuese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Edhe pse këto akuza u kundërshtuan fuqishëm nga institucionet e Kosovës dhe nga një pjesë e opinionit ndërkombëtar, raporti i Dick Marty-t i vitit 2010 i institucionalizoi ato, duke hapur rrugën për hetime të mëvonshme. Kjo krijoi një precedent të rrezikshëm, ku drejtësia u ndërtua mbi raporte politike dhe jo mbi prova të konsoliduara gjyqësore. Aq larg ka shkuar kjo qasje, sa edhe vrasjet e pasluftës të kundërshtarëve politikë iu atribuohen figurave të UÇK-së, një tezë që bie ndesh me misionin e qartë të saj: mbrojtjen e qytetarëve nga dhuna dhe krimet mizore të forcave paramilitare serbe.

Në thelb, kjo gjykatë është themeluar mbi akuza që shumëkush i konsideron si të fabrikuara nga individë dhe struktura që historia do t’i gjykojë për mungesë guximi dhe për mosiu përgjigjur thirrjes për çlirim. Prandaj, vetë baza mbi të cilën u ndërtua Gjykata Speciale mbetet e kontestueshme, pasi nuk mbështetet në prova të plota dhe të verifikuara sipas standardeve klasike të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Nën presion të vazhdueshëm ndërkombëtar, Kuvendi i Kosovës u vu përballë një zgjedhjeje jashtëzakonisht të vështirë: ose të pranonte themelimin e Gjykatës Speciale, ose të përballej me pasoja të rënda politike dhe diplomatike. Kështu, një shtet i ri u detyrua të legjitimojë një gjykatë që gjykon ekskluzivisht vetëm një palë të konfliktit, duke e bërë këtë rast sui generis në praktikën e drejtësisë ndërkombëtare.

Problemi thelbësor i Gjykatës Speciale nuk qëndron në parimin e drejtësisë si të tillë, por në mënyrën selektive se si ajo u ndërtua dhe në fokusin e njëanshëm ndaj krerëve të UÇK-së. Duke u përqendruar vetëm në këtë strukturë, ekziston rreziku real që agresori të barazohet me viktimën dhe që një luftë çlirimtare, e cila sipas shumë figurave dhe institucioneve ndërkombëtare ishte e domosdoshme për ndalimin e spastrimit etnik, të relativizohet historikisht.

Historia ka treguar se drejtësia e ndërtuar mbi presion politik rrallëherë mbetet e drejtë dhe e paanshme. Për këtë arsye, Gjykata Speciale do të mbetet një nga kapitujt më të debatueshëm të procesit të shtetndërtimit të Kosovës, jo vetëm si institucion juridik, por edhe si simbol i krizës politike që lind kur e vërteta historike nënshtrohet interesave gjeopolitike.

Sot, kur procesi ka hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet shpallja e aktgjykimit pas dëgjimit të të gjitha dëshmive, mbetet të shihet nëse e vërteta do të dalë realisht në pah. Zbehja e saj nuk vjen për mungesë faktesh, por për shkak të vetë natyrës së këtij procesi. Gjykata ndodhet përballë një prove historike: ose do të hyjë në histori si institucion që dha drejtësi, duke njohur rolin e UÇK-së dhe të krerëve të saj në një luftë të drejtë dhe çlirimtare, ose do të mbetet e shënuar si një gjykatë që dështoi të mbrojë parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe që legjitimoi drejtësinë selektive.

Këtë do ta tregojë koha, sepse ndryshe nga gjykatat, historia nuk gjykon nën presion, por mbi të vërtetën.