11:23 / E Martë, 04 Gusht 2020 / indeksADMonline

Gjykata Speciale për Indeksonline: Aktakuzat mund të konfirmohen edhe pas 6 muajsh!

Kemi hyrë në muajin e gjashtë që kur janë ngritur aktakuzat e para nga Dhomat e Specializuara në kuadër të Gjykatës Speciale.
Që nga funksionalizimi i Prokurorisë Speciale një vit më parë, mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga kjo prokurori.

Persona të cilët janë intervistuar e ftuar për tu paraqitur para prokurorëve ndërkombëtar në Hagë, duke mos përjashtuar edhe ata që janë intervistuar brenda territorit të Kosovës.
IndeksOnline ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Speciale për të kuptuar nëse aktakuzat e ngritura, tani pas gjashtë muajve do të hidhen apo konfirmohen.

Në përgjigjen e dhënë thuhet se Prokuroria e Specializuar ka ngritur aktakuza në shkurt të këtij viti dhe një në prill, e jo në janar siç ishte thënë në disa medie.

“Prokurori i Specializuar ngriti aktakuza në shkurt të këtij viti dhe një aktakuzë tjetër në prill të këtij viti. Kryetari i Gjykatës Speciale ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqytuar aktakuzat. Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, Gjykatësi i procedurës paraprake duhet të vendosë deri në gjashtë muaj nëse do të konfirmojë ose pushojë një aktakuzë, në varësi të specifikave të një çështje individuale”, thuhet në përgjigjen e Speciales, dhënë për IndeksOnline.

Mirëpo bëhet e ditur se ka edhe përjashtime , duke sqaruar tutje se kur bëhet kjo.

“Në të njëjtën kohë, Rregullorja e Procedurës dhe Provave gjithashtu parashikojnë një numër skenarësh që rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar që bëhet publik më vonë se gjashtë muaj pas paraqitjes së tij me gjykatësit e procedurës paraprake. Për shembull, Rregulla 88 parashikon që Gjykatësi paraprak mund të urdhërojë mos zbulimin e përkohshëm për arsye sigurie ose të shmangë çdo ndërprerje të procedurave”, thuhet tutje në përgjigjen e Speciales.

Ndërsa në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike, atëherë kur gjykatësi vendos që të jetë e nevojshme, jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para gjykatës, sqaron tutje Prokuroria e Specializuar.

E derisa të bëhet publikimi i aktakuzës, çdo procedurë që lidhet me të para gjykatësit para-gjykimit është rreptësisht konfidenciale.

Ndryshe më 24 qershor Prokuroria Speciale për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli/IndeksOnline/