75 Mall Live Search
08:31 / E Shtunë, 08 Nëntor 2025 / A

Gjykata Supreme e SHBA-së lejon përkohësisht administratën Trump të pezullojë miliarda dollarë ndihma ushqimore

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lëshuar një urdhër emergjent që i lejon përkohësisht administratës Trump të pezullojë miliarda dollarë fonde për programin e ndihmave ushqimore për miliona amerikanë me të ardhura të ulëta.

Vendimi erdhi pasi Shtëpia e Bardhë apeloi një gjykatë më të ulët, e cila kishte urdhëruar që Programi Shtesë i Asistencës Ushqimore (SNAP), i njohur ndryshe si “food stamps”, të paguhej plotësisht përfituesve deri të premten.

Programi është prekur nga mbyllja e pjesshme e qeverisë federale, me administratën Trump që argumenton se mund të sigurojë vetëm financim të pjesshëm. Urdhri i Gjykatës Supreme lejon pezullimin e përkohshëm të 4 miliardë dollarëve derisa të zhvillohen seancat e ardhshme gjyqësore. SNAP përfiton nga rreth 42 milionë amerikanë – afërsisht një në tetë qytetarë – dhe kushton rreth 9 miliardë dollarë në muaj, raporton BBC.

Një ditë më parë, gjyqtari John McConnell nga Rhode Island kishte akuzuar administratën Trump se po ndalonte ndihmën ushqimore “për arsye politike”, duke paralajmëruar se “16 milionë fëmijë janë menjëherë në rrezik urie”. Ai kishte urdhëruar pagesën e plotë të programit.

Përpara ndërhyrjes së Gjykatës Supreme, Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA), që mbikëqyr SNAP-in, kishte njoftuar se për shkak të mungesës së fondeve nga mbyllja e qeverisë, përfitimet do të ndërpriteshin në nëntor.

Urdhri emergjent u lëshua të premten mbrëma nga gjykatësja Ketanji Brown Jackson, e cila vendosi një “pezullim administrativ” për dy ditë, duke ngrirë vendimin e gjykatës më të ulët ndërsa qeveria përgatit apelimin.

Polemika për financimin e ndihmës ushqimore është bërë një nga çështjet më të ashpra të mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA-së. Punonjësit federalë nuk kanë marrë paga për më shumë se një muaj, ndërsa trafiku ajror është futur në kaos për shkak të mungesës së marrëveshjes mes demokratëve dhe republikanëve për financimin e qeverisë.

Ndërkohë, disa shtete kanë përdorur fondet e tyre rezervë për të vazhduar pagesat e SNAP-it, por shumë të tjera kanë njoftuar se nuk mund të zëvendësojnë financimin e munguar nga qeveria federale.