Gjykata Supreme pranon gjashtë ankesa pas rinumërimit të votave
Gjykata Supreme ka bërë të ditur se ka pranuar gjithsej gjashtë ankesa që lidhen me rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave.
Sipas njoftimit zyrtar, dy nga ankesat janë paraqitur nga kandidati i Partisw Demokratike tw Kosovës, Bekim Haxhiu. Ndërkohë, nga një ankesë kanë dorëzuar Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, koalicioni PAI–PDAK–LPB, Emilia Rexhepi, si dhe Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka) nga Prizreni.
Këto ankesa ishin shqyrtuar më herët nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili i kishte refuzuar ato. Tashmë, çështja ka kaluar për vlerësim në Gjykatën Supreme.
Supremja ka një afat ligjor prej pesë ditësh për të marrë vendim lidhur me këto ankesa. Në rast se edhe kjo shkallë i hedh poshtë pretendimet, atëherë hapet rruga për certifikimin përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve.
Pas certifikimit, procedurat kushtetuese parashohin që brenda 30 ditësh të thirret seanca konstituive për formimin e Kuvendit të ri./IndeksOnline/

