75 Mall Live Search
11:11 / E Mërkurë, 17 Dhjetor 2025 / KV

Gjykata Supreme rikthen Besim Kelmendin në pozitën e u.d. të kryeprokurorit

Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit dhe ka anuluar vendimin KPK.nr.1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Lënda i është kthyer Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje.

Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me vendimin e atakuar, në mbështetje të nenit 15, të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka gjetur se ankesa është e bazuar.

Meqenëse vendimi mbi shkarkim është marrë bazuar në pretendimet se u.d i Kryeprokurorit të Shtetit, përmes deklarimeve në këshill dhe media ka shprehur qëndrim të njëanshëm, të cilat qëndrime dhe deklarime kanë denigruar pozitën e tij dhe kanë cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut, janë elemente të përgjegjësisë disiplinore që përfshihen në kuadër të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Gjykata Supreme e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes, vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm.

Kjo, pasi që vendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Kodit të etikës profesionale për prokurorët.

Sipas Gjykatës Supreme vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të marr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim.