75 Mall Live Search
17:45 / E Premte, 28 Shkurt 2025 / FR

Gjykata Themelore lëshon urdhër për paraqitjen e Kurtit në Prokurorinë Speciale, cakton datën për dëshmi

Gjykata Themelore e Prishtinës-Departamenti Special ka nxjerrë vendim përmes të cilit ka obliguar kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet me datë 4 mars 2025 në Prokurorinë Speciale.

Këtë për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themlore, Mirlinda Gashi, ku njoftoj  se vendimin e kanë nxjerrur me datë 21 shkurt 2025, derisa kanë treguar se sot kanë pranuar përgjigjen me shkrim të Zyrës së Kryemnistrit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka lëshuar urdhrin e datës 21.02.2025 me të cilin ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Kurti ishte ftuar më 10 dhjetor nga prokurorët e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit për lëndën me numër PPS.nr.62/2023, që ka të bëjë me kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, sot ka publikuar letrën që ia kanë dërguar Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmes të cilës thonë se Kurti s’po refuzon të dëshmojë dhe kanë kërkuar që Gjykata ta obligojë Prokurorinë që dëshminë e Kurtit ta marrë në Kryeministri.

Thuhet se Kurti do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore.

Në bazë të nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, Kryeministri Albin Kurti mund të dënohet me gjobë dhe burgim nëse refuzon të paraqitet në prokurori për të dhënë dëshminë e tij.