75 Mall Live Search
16:48 / E Hënë, 04 Mars 2019 / indeksADMonline

Gjykata vendosë për tre personat që tentuan të transportonin drogë nga Kosova në Serbi

Katër vjet burgim dhe një mijë euro gjobë, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Pejë, ndaj njërit prej tre të akuzuarve, Branislav Gajin, i cili akuzohet se kishte tentuar të transportojë 145 kg drogë nga Kosova në Serbi.

Ndërsa, aktgjykim lirues është shpallur ndaj dy të akuzuarve tjerë, Milan Gajin dhe Rudo Uboviq, ngase sipas kryetarit të trupit gjykues, Sylë Lokaj, nuk ishte provuar se ata kishin kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Branislav Gajin, në dënimin prej katër vjetësh burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 29 shtator 2018, e deri më tani.

Dënimin me gjobë prej 1000 euro, i pandehuri detyrohet ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, duke e paralajmëruar atë se në rast të mos pagesës, do t’i kthehet në dënim me burgim.

Atij i është konfiskuar narkotiku i llojit “mariuhanë”, në peshë prej 145 kg, rimorkio dhe makina “Opel”.

Ai po ashtu do të detyrohet të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 100 euro dhe 20 euro paushall gjyqësor.

Të pandehurit Branislav Gajin i është vazhduar paraburgimi, ngase sipas gjykatësit Lokaj, ekzistojnë ende kushtet për caktimin e kësaj mase, por nuk mund të zgjasë më shumë se dënimi me burgim i shqiptuar ndaj të akuzuarit.

Në seancën e shpalljes se aktgjykimit, nuk ka marr pjesë prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Ndryshe, në seancën e 1 marsit të këtij viti, ku palët kanë dhënë fjalën përfundimtari, prokurorja Gashi ka deklaruar se nga provat që janë siguruar në këtë rast, vërtetojnë se  tre të akuzuarit kanë tentuar të transportit sasinë e marihuanës, nga Kosova për në Serbi.

Sipas saj, ata kishin planifikuar me kujdes momentin e ardhjes në Kosovë dhe kthimit të tyre për në Serbi.

Sipas saj, atë ditë ishte planifikuar vizita e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës, derisa në Prishtinë, sipas saj, Lëvizja “Vetëvendosje”, kishtë organizuar protestë.

Një gjë e tillë është planifikuar, pasi sipas prokurores, në këto dy ngjarje ka pasur të angazhuar numër të madh të policëve.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Branislav Gajin, avokati Haxhi Çekaj, në fjalën përfundimtare të tij, ka thënë se i mbrojturi i tij, kishte pranuar fajësinë për transportimin e narkotikut që nga fillimi i procedurës penale dhe se kishte shprehur keqardhje se nuk i kishte njoftuar dy të akuzuarit e tjerë, Milan Gajin dhe Rudo Ubovic për qëllimin e ardhjes së tij në Kosovë.

Avokati ka thënë se i mbrojturi i tij, për transportimin e narkotikëve do të kompensohej në shumën prej pesë mijë euro dhe atë pasi ta dorëzonte atë në Serbi.

Në seancën fillestare të mbajtur më 24 janar të këtij viti, i akuzuari Bratislav Gajin e kishte pranuar fajësinë, kurse dy të akuzuarit e tjerë, Milan Gajin dhe Rade Uboviq, ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur më 26 dhjetor 2018, të pandehurit Bratislav Gajin, Milan Gajin dhe Rade Uboviq akuzohen se me 29 shtator të vitit 2018, rreth orës 13:15, në rrugën Pejë-Istog, në fshatin Veriq, pas marrëveshjes paraprake mes tyre dhe në bashkëpunim me persona tjerë ende të paidentifikuar, kanë transportuar substanca narkotike, me qëllim të shitjes.

Sipas dispozitivit të aktakuzës, pasi i pandehuri Bratislav Gajin merr informacion se ngarkesa me narkotikë e nisur nga Shqipëria kishte hyrë në Kosovë, i lajmëron të pandehurit tjerë, Milan Gajin dhe Rade Uboviq dhe të tre së bashku, me veturën e tij “Opel Mariva”, marrin rrugën nga Serbia për Kosovë dhe pasi kalojnë kufirin takohen me persona ende të panjohur dhe paketojnë ngarkesën në rimorkio dhe gjatë kthimit për në Serbi, hetohen nga policia dhe arrestohen, me ç’rast gjatë kontrollit janë gjetur 113 qese me mariuhanë, me peshë të përgjithshme prej 145 kg 641 gr. /BetimipërDrejtësi