75 Mall Live Search
22:16 / E Martë, 25 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Gjykatat e mbushura me lëndë, kërkohet shtim i numrit të gjyqtarëve

Një ndër sfidat e sistemit gjyqësor në Kosovë ndër vite vazhdon të jetë numri i lëndëve të pazgjidhura. Për çdo vit, numri i tyre shënon rritje, derisa numri i gjyqtarëve që zgjidhin lëndët nuk është i vogël.

Numri i lëndëve që gjykatat i kanë pasur gjatë këtij viti gjithsej është 396 mijë e 862 lëndë. Nga lëndët e trashëguara si të pazgjidhura është 307 mijë e 513 lëndë, ndërsa, numri i lëndëve të pranuara në punë përgjatë këtyre nëntë muajve është 89 mijë e 349 lëndë.

Sa i përket asaj se sa janë zgjidhur, është numër i vogël në krahasim me ato që nuk janë zgjidhur. Numri i lëndëve që gjykatat kanë zgjidhur gjatë nëntëmujorit të këtij viti është 139 mijë e 777 lëndë, kurse, nuk janë zgjidhur 257 mijë e 18 lëndë.

Avokati Skënder Musa për Indeksonline ka thënë se në divizionin për çështje civile është e pamundur të kryhet një lëndë pa kaluar afati 5-10 vite.

“Numri i lendeve të pazgjidhura është shqetësues për të gjithë qytetarët të cilët kanë nevojë qe t’i drejtohen gjykatës për zgjidhjen e kontesteve të tyre. Në divizionin për çështje civile është e pamundur që të kryhet një lëndë pa kaluar një afat mesatarisht 5 – 10 vite, por nëse ndodh që lënda të kthehet në rigjykim atëherë qytetari do ta kalojë pjesën me të madhe të jetës pa vendim të gjykatës”, ka thënë Musa.

Ai ka theksuar se drejtësia e vonuar me vite për shkak të lëndëve akoma të pazgjidhura është padrejtësi.

“Nuk mund të ketë arsye 20 vite pas përfundimit të luftës për një numër kaq të madh të lendeve prej 257 mijë e 18 lëndë. Gjendja në ketë divizion është e rëndë dhe nuk mund të themi se nuk ka drejtësi sepse një drejtësi e vonuar me decenie në vetvete është pa drejtësi”, ka thënë ai në një përgjigje për Indeksonline.

Avokati Musa është shprehur se sistemit të drejtësisë duhet t’i shtohen më shumë gjykatës, bashkëpunëtorë e staf mbështetës, për të arritur t’i përfundojnë me kohë lëndët.

“Nëse edhe në vitin 2019 vazhdon kjo gjendje dhe nuk ka zbatim të ligjit për caktimin e seancës brenda afateve ligjore e jo si është tani pas 5 apo 10 viteve, mund te themi se ky është dështim. Duhet të shtohet numri i gjykatësve, bashkëpunëtoreve profesional dhe stafi mbështetës sepse qytetarët duhet ti realizojnë të drejtat e tyre në afate ligjore e jo të presin me vitet të tëra”, ka thënë mes të tjerash./Indeksonline/