Gjykatat kanë përfunduar mbi 81 mijë lëndë, në pritje edhe 205 mijë tjera

Nga e hëna e kaluar, Gjykatat në Kosovë i mbajnë seancat vetëm për raste me prioritet ligjor dhe emergjentë. Sipas vendimit të Këshillit Gjyqësor, nga 25 korrik deri më 20 gusht, në gjykata nuk do të mbahen seancat e rregullta. Ky vendim është mirëpritur nga palët. Ndërkohë, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, gjykatat kanë përfunduar mbi 81 mijë lëndë gjyqësore, derisa janë në pritje edhe rreth 205 mijë lëndë të tjera.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, gjykatat në Kosovë kanë zgjidhur mbi 81 mijë lëndë gjyqësore. Evidencat e Këshillit Gjyqësor për periudhën kohore janar-qershor 2025, vënë në pah se Gjykata Supreme u ka dhënë epilog mbi 1mijë lëndëve, Dhoma e Posaçme mbi 1 mijë e 300, Apeli ka zgjidhur, rreth 12 mijë, ajo Komerciale, afër 3 mijë, dhe Gjykata Themelore me degët e saj ka zgjidhur rreth 64 mijë lëndë.
Ndërkohë, pa u zgjidhur kanë mbetur mbi 200 e 4 mijë lëndë. Sipas kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, gjyqtarët janë duke kryer punë të mëdha që pritet t’i përmbyllin në gjashtëmujorin e dytë.
“Si kryetare mundem të them që çdo gjyqtar dhe çdo zyre e gjyqtarit e ka aplikua këtë plan të punës dhe si rezultat i kësaj kemi arrit me i trajtua edhe lëndët që kanë prioritet ligjor po edhe me adresua çështjen e lëndëve të vjetra”, tha Albina Shabani Rama, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton RTK.
Për dallim nga e kaluara, këtë vit, nga 25 korriku e deri më 20 gusht gjykatat në Kosovë do të jenë në pushim veror e në këtë periudhë do të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente. Sipas avokates Besiana Ismajli, edhe në të kaluarën gjatë verës punohej me staf më të vogël, por që tanimë ka një vendim zyrtar.
”Vendimi i këshillit gjyqësor është që të procedohen vetëm çështjet urgjente si paraburgimet, urdhërmbrojtjet, në rast të dhunës në familje e që për këto raste gjithmonë është dikush kujdestar e që i trajton me prioritet, përndryshe edhe ata duhet të pushojnë ndonjëherë edhe gjithmonë kanë qenë muaji korrik dhe gusht pothuajse pushim veçse tash me këtë rregullore zyrtarisht është edhe më mirë edhe për ne si mbrojtës edhe për palët që e dimë se nuk kemi nevojë të shkojmë se seancat nuk mbahen”, tha Besiana Ismajli, avokate.
Ndërkohë, për avokatin Musa Damati, pushimi nuk do të duhej të ndikonte në punën e gjykatave, derisa shqetësuese mbetet numri i lëndëve në pritje.
“Duke u bazuar në statistikat e organizatave edhe ndërkombëtare, mbikëqyrëse, monitoruese të sistemit gjyqësor të Kosovës, çështja e kohëzgjatjes është një shqetësim shumë i lartë dhe pothuajse Kosova qëndron më së keqi në rajon, në Ballkan për sa i përket aspektit të zgjatjes, zvarritjes së lëndëve nëpër gjykatat e Republikës së Kosovës”, tha Musa Damati, avokat.
Me qëllim të eliminimit të dështimit të seancave gjyqësore, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi për pushim zyrtar në sistemin gjyqësor gjatë verës dhe gjatë dimrit.