11:20 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Gjykatat në Kosovë shënojnë rritje të transparencës

Gjyqësori në Kosovë ka shënuar rritje të transparencës, ku qytetarët përveç që mund të marrin pjesë në seanca, gjykatat publikojnë edhe aktgjykimet në faqet e tyre.

Zyrtarja për Demokraci dhe Qeverisje e USAID-it në Kosovë, Christina Davies, tha se gjyqësori sot është më transparent.

“Qytetarët sot janë më të informuar se çka ndodhë brenda sallave të gjykimit. Ne presim që të kemi një bashkëpunim më të suksesshëm dhe t’i tregojmë qytetarëve se gjyqësori nuk është vetëm transparent por edhe llogaridhënës”, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tha se në vazhdimësi janë duke punuar për të rritur transparencën e gjyqësorit.

Këshilltare ligjore në FOL, Nora Bajrami, ka bërë prezantimin rreth publikimit të aktgjykimeve të Gjykatave, ku tha se në gjykatat nga 1 maj deri më 15 nëntor kanë publikuar 6 mijë e 611 aktgjykime.

“Kemi vërejtur një progres në transparencën e gjyqësorit dhe gjykatave. 10 mijë e 184 aktgjykime të publikuara nga janari 2016 deri në prill 2019. 6 mijë e 611 aktgjykime në publikuara nga fillimi i monitorimit 1 maj deri me 15 nëntor. Pra, rreth 1 mijë për muaj”, tha ajo.

Gjykata Themelore e Ferizajt është shpallur si gjykata më transparente në Kosovë. Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenaj, tha se është nder për ta që puna e tyre është vlerësuar.