13:56 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2024 / k.v

Gjykatësja ia tërheq vërejtjen ish-policit të akuzuar për ryshfet lidhur me parashtrimin e pyetjeve ndaj dëshmitarit bashkëpunues

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Sulltane Hoti ia ka tërhequr vërejtjen të akuzuarit Lavdim Osmani gjatë parashtrimit të pyetjeve për dëshmitarin bashkëpunues D.H., duke konsideruar që po e udhëzon të njëjtit të ketë kujdes në atë se çfarë po deklaron.

Në këtë rast Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kryetarja e trupit gjykues ia tërheq vërejtjen të akuzuarit që të ketë kujdes gjatë parashtrimit të pyetjeve dhe gjithashtu dhe deklarimeve të tij në drejtim të ndikimit dhënies në presion të dëshmitarit që i njëjti të mendohet, që i njëjti të ketë kujdes në atë çfarë po deklaron”, tha gjykatësja Hoti.

Deri tek kjo tërheqje e vërejtjes erdhi pasi që i akuzuari Osmani në fund pas parashtrimit të një pyetje i tha dëshmitarit D.H, “mendo mirë”.

“Më 5 shkurt 2020 a keni arrit me mi dhanë paret para se mu arrestu une, apo a m’kanë arrestu mu para se t’i me mi dhënë paret mendo mirë”, tha i akuzuari Osmani.

Lidhur me kanosjen apo deklarimin e të akuzuarit Osmani në drejtim të dëshmitarit bashkëpunues prokurori Zef Prendrecaj tha se jashtë kësaj seanca do ta vlerësoj nëse do të iniciohet rast i ri ndaj të akuzuarit Osmani.

Pyetja e lartcekur e të akuzuarit Osmani u refuzua nga trupi gjykues.

Tutje, dëshmitari D.H tha se nuk i kishte dhënë para të akuzuarit Menxhiqi dhe se ai asnjëherë nuk i kishte kërkuar para atij, duke shtuar se ai e kishte numrin e të akuzuarit Osmani dhe se me dy të akuzuarit kishte kontaktuar në telefon kur i kishte kërkuar Mentor Maqani që kinse të ua jepte paratë në ditën e arrestimit.

I njëjti tha se djali i tij tani i ndjerë kishte qenë punëtor i Mentor Maqanit, duke shtuar se më 5 shkurt 2020 kishte qenë në villen “Marigona” për t’ia dërguar disa të holla Driton Berishës, por sipas tij meqë ky i fundit nuk ishte aty ishte takuar me Maqanin.

Dëshmitari D.H se tha kishte marr para nga Mentor Maqani për të ia dërguar disa personave por që tani nuk i kujtohej si rast, se si kishte qenë biseda.

Po ashtu dëshmitari D.H tha se nuk e kishte parë asnjë rast kur Driton Berisha i kishte dhënë para të akuzuarit Osmani por vetëm që Dritoni i kishte thënë me fjalë.

Dëshmia e dëshmitarit D.H ishte vazhdim nga seanca e datës 29 shtator 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 14 shkurt të 2022, kishte shpallur fajtorë Osmanin dhe Menxhiqin duke i dënuar në total me 12 vite burgim dhe me 8 mijë euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 maj 2023, ka marrë vendim, përmes të cilit ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Menxhiqit dhe Osmanit.

Vendimi i Apelit për këtë çështje erdh pas mbajtës së seancës në këtë gjykatë më 5 prill 2023, ku edhe ishin shqyrtuar ankesat e mbrojtësve të dënuarve Lavdim Osmani avokati Muhamet Mujaj dhe për Lutfi Menxhiqin avokati Skender Musa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet nga Driton Berisha dhe D.H, në mënyrë qv mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.