75 Mall Live Search
13:10 / E Enjte, 12 Shkurt 2026 / S Z

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Paskal Milo: Kjo vë në dyshim identitetin e popullit

I ashpër ishte qëndrimi i ish-ministrit të Jashtëm, Paskal Milo, pasi prokuroria në Hagë kërkoi nga 45 vjet burgim secili për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Milo tha se Qeveria e Kosovës do duhej të kishte reaguar që kur u burgos kryetari i shtetit dhe u dërgua në Hagë.

“Kjo vë në dyshim identitetin e atij populli. Të gjithë e dimë vlerën e çlirimit të Kosovës, por edhe të atyre burrave për të cilët shqiptarët presin që të lirohen nga Haga. Akuza nuk di si do të përfundojë e tillë, fjalën e fundit do ta thotë gjykata, e cila është më gjakftohtë se prokurorët”.

“Kur sapo u arrestua presidenti i Kosovës, kam qenë në këtë studio dhe kam bërë një kritikë duke i bërë thirrje ministrit të drejtësisë të qeverisë së Kosovës, duke i thënë: si është e mundur që qeveria e Kosovës, po i burgosin kryetarin e shtetit dhe po rri kaq indiferente? Që atëherë e deri tani, e kam ndjekur me shumë vëmendje; nuk mund të paragjykojmë rezultatin e gjykimit sepse nuk varet nga ne. Të gjithë urojmë të kthehen në shtëpinë e tyre dhe t’i shërbejnë kombit njësoj si gjatë luftës së UÇK-së”, tha Milo në TopChannel.