15:31 / E Premte, 11 Shkurt 2022 / k.v

Gjykimi i Shaban Gogajt nga trupi i njëjtë gjykues, a është konflikt interesi?

Në nëntor të vitit të kaluar, Shaban Gogaj dhe Halit Cacaj nga Deçani, nëpërmjet avokatit, Besnik Berisha, kanë ushtruar padi ndaj trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë, Violeta Husaj- Rugova, Florije Zatriqi dhe Sami Sharraxhiu, për kompensimin e dëmit jomaterial në shumë prej 100 mijë euro.

Në padinë të cilën e ka siguruar portali IndeksOnline thuhet se ajo është parashtruar për shkak të dhimbjeve fizike, vuajtjeve psikike, pasigurisë dhe frikës së përjetuar nga veprimet qëllimisht të kundërligjshme të të paditurve, në çështjen penale PKR. Nr. 43/2019, që po zhvillohet kundër paditësit të parë pranë Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda.

IndeksOnline ka dërguar pyetje të gjyqtarët përkitazi me këtë padi, mirëpo të njëjtit as pas dy dite nuk kanë kthyer përgjigje.

Redaksia është interesuar të dijë nga tre gjyqtarët e paditur se a e kanë parë ata ende padinë dhe a qëndrojnë pretendimet e paditësve, a kanë angazhuar akoma avokat në këtë çështje dhe kush është mbrojtja e tyre. Po ashtu janë pyetur se a mund të ndikojë kjo padi në objektivitetin e tyre për gjykimin e rastit Gogaj dhe a e kanë njoftuar ata Agjencine Antikorrupsion për këtë padi dhe a kanë kërkuar opinion se a përbën konflikt interesi gjykimi i kësaj lënde pasi që edhe vet janë të përfshirë në gjykim.

Ndërsa avokati Berisha ka konfirmuar për IndeksOnline se është ushtruar një padi nga Shaban Gogaj dhe prindi i tij në emër të dëmit jo material të pësuar si rezultat i veprimeve të kundërligjshme që e kanë shoqëruar nga data e rihapjes së shqyrtimit gjyqësor e deri në këtë ditë.

“Po është ushtruar padi ndaj tre anëtareve të trupit gjykues sepse është evidente se ligji është shkelur qëllimisht. Dhe një ditë do të këtë edhe denoncim penal, në ditën kur nuk do të ketë ndikim në një prokurori sepse me kushtet aktuale njeriu që i ka nxit të marrin vendim të kundërligjshëm nuk pritet t’i ndjek penalisht për të njëjtin vendim, por në ditën kur do të ketë një strukturë dhe një prokuror të guximshëm jam i bindur se do i ftojë edhe ata gjyqtarë për ti pyetur se mbi çfarë norme dhe ligji u mbështeten ata në rihapje të shqyrtimit gjyqësor për një çështje të mbyllur me pranim fajësie”, ka thënë Berisha.

Kjo padi e ngritur në Gjykatën Themelore në Pejë- Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil u delegua për vendosje në Apel se kujt ti caktohet për kompetencë me arsyetimin se gjyqtarët janë të shoqëruar me kolegët e tyre dhe nuk mund të jenë objektiv në rastin e gjykimit të saj.

Ndërkohë Apeli ka vendosur që padia të zhvendoset për trajtim në Gjykatën e Gjakovës.

“Pas kësaj dhe pas dështimit të tri seancave, mungesës së kushteve për të vazhduar më tutje, gjendjes së tij nën masën e paraburgimit, si masa më ekstreme, gjendja e rënduar shpirtërore emocionale e shëndetësore, e mungesës së avokatit, Shaban Gogaj ka dorëzuar kërkesë në gjykatë, te kryetari për të përjashtuar trupin gjykues për dy arsye: Ata janë në konflikt të pastër interesi për shkak se nuk mund dhe nuk do të prezumojnë Shaban Gogajn asnjëherë të pafajshëm por si një njeri që përmes mbrojtjes së tij ua ka shpërfaqur të palarat e një padrejtësisë që i ka shoqëruar që nga marsi e deri më sot, nuk mund ta prezumojnë dikë të pafajshëm e ta gjykojnë objektivisht i cili në padinë e tij kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim e mbi të gjitha nuk mund ta trajtojnë lëndën në përputhje me ligjin sepse të njëjtit e dijnë se përmbajtja e padisë është ekzaktsisht për verimet e tyre të kundërligjshme dhe ata do bëjnë gjithçka për ti harrnuar ato padrejtësi në mënyrë që një ditë në një gjykatë ata të thonë shiko në rigjykim këto nuk kanë ndodhur këto shkelje”, ka thënë Berisha.

Në padinë 18 faqe e cila tashmë është në sirtarët e Gjykatës së Gjakovës, janë dhënë provat e mbrojtës dhe sipas saj ajo është tërësisht e bazuar./IndeksOnline/