75 Mall Live Search
15:04 / E Enjte, 30 Mars 2023 / k.v

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari thotë babai ishte i ‘‘thyer’’ pas kidnapimit të tij

Duke vazhduar deklarimin e tij, dëshmitari i katërt i mbrojtur me kodin 9 në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e ka përshkruar si ‘‘të thyer’’ gjendjen e babait të tij pas kidnapimit në vitin 1999.

‘‘Ishte i thym, fizikisht ishte shumë i zymtë, i ranë’’, tha dëshmitari me kodin 9, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Këtë ai tha se e vërejti pasi që babi i tij kishte qëndruar shumë i qetë dhe gjithmonë në mendime, e që shtoi se kjo gjendje kishte ndikuar dhe rënduar të gjithë familjarët.

Në vazhdim, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws, dëshmitari tha se kur ishte informuar se babai i tij ishte kidnapuar, kishin qenë ditë të vështira për të.

Kurse, përsëri bëri përshkrim të gjendjes së babait të tij, pas incidentit të kidnapimit në Kukës.

‘‘Ishte shumë i ngarkum, ishte gjithmonë në mendime dhe ndonjëherë edhe shikonte e nuk reagonte, atë e kam vërejt, kshtu s’ka qenë përpara’’, shtoi ai.

Po ashtu, përmendi faktin se babai i tij edhe gjumin nuk e kishte pasur në rregull dhe më s’kishte qenë në gjendje të punojë.

Ai tha se për këtë, familja e tij kishte qenë në kushte shumë të vështira ekonomike dhe se ai vetë jashtë vendit kishte punuar 20 orë në ditë për të ndihmuar familjen dhe se i kishte mbështetur me të hyrat e tij deri në vitin 2008.

Në vazhdim, dëshmitari me kodin 9, u përgjigj në pyetjen e avokatit mbrojtës të të akuzuarit Shala, Muhamed Hedi Auini.

Avokati Auni kërkoi nga dëshmitari që të pohojë fillimisht deklarimet e bëra gjatë seancës së sotme.

Dëshmitari u përgjigj me ‘‘po’’, se gjatë seancës së sotme kishte folur për incidentin e vitit 98 dhe se ai nuk kishte qenë në Kosovë kur e kishte mësuar këtë.

Më pas, kur dëshmitari u pyet se a kishte dhënë informacion tjetër lidhur me burimin e informacionit për Pjetër Shalën dhe kohën kur babai i tij e kishte kuptuar për emrin e tij, kur ishte marrë në pyetje nga hetuesit e ZPS-së.

“S’i kam thanë këtu, kam thënë, ai vetë ka thanë’’, tha dëshmitari.

Në momentin kur avokati mbrojtës lexoi pjesë të deklaratës që dëshmitari kishte dhënë para hetuesve të ZPS-së, prokurori Filippo De Minicis reagoi duke kërkuar që dëshmitarit t’i paraqitet e tërë deklarata dhe jo e pjesërishme, pasi sipas tij në pjesë tjera, deklarimet e dëshmitarit përkojnë 100% me deklarimet në seancë.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia kërkoi nga avokati mbrojtës që të parashtrojë, pyetje por mos të bëjë interpretime para kohës.

Në vazhdim, dëshmitari është pyetur se çfarë informacione kishte marrë për komandant ‘‘Ujkun’’ dhe ai tha se disa bashkë-fshatarë i kishin thënë se ka ardhur nga Kroacia për të luftuar këtu.

Kurse, menjëherë pas pyetjes së avokatit mbrojtës se a e njihni personin me emrin Sali Çeku, shqyrtimi ka kaluar në seancë private.

Ndërkaq më pas, dëshmitari mohoi që babai i tij të ketë përmendur “Shtëpinë e Verdhë”, ‘Mercedesin e verdhë’’, apo t’i kishte treguar për gazetarin/hetuesin me emrin Michael.

Po ashtu, dëshmitari mohoi që babai i tij t’i kishte përmendur dikë me emrin Gani Shehu, kurse në pyetjen se a e njihni dikë me emrin Blerim Isufaj, dëshmitari tha se ‘‘nuk e njoh personalisht’’.

Ndërsa, kur u pyet se çfarë marrëdhënie kishte pasur babai i tij me të, ai u përgjigj ‘‘të mira, kurrë telashe s’kemi pas me të’’.

Tutje, dëshmitari është pyetur nëse ka pasur numër kontakti me punonjës të ZPS-së para se të takohej me ta për të dhënë intervistë, por që shqyrtimi kaloi në seancë private.

Pas kësaj, nga trupi gjykues u konstatua se dëshmitari me kodin 9, ka përfunduar dëshminë e tij dhe se gjykimi për të akuzuarin Shala do të vazhdojë me 1 maj 2023.