Gjykimi për vrasjen e vjehrrit, eksperti mjeko-ligjor thotë se elementi kohë s’ka ndikuar në vdekjen e viktimës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Edon Bujupit, i akuzuar për vrasjen e vjehrrit, të premten u dëgjua eksperti mjeko-ligjor Naim Uka, i cili tha se elementi kohë nuk ka ndikuar në vdekjen e viktimës A.K.,
Këtë deklarim, Uka e bëri duke dhënë sqarime rreth pyetjes lidhur me dëshminë e dëshmitarit nga seanca se kaluar se kishte pasur vonesë deri tek dhënia e ndihmës për tani të ndjerin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata kërkoi sqarime se a ka pasur ndikim vonesa nga momenti i marrjes se plagëve deri tek ndihma e parë që të shkaktojë vdekjen e A.K.
Lidhur me këtë, eksperti Uka tha se tani i ndjeri i ishte nënshtruar intervenimit brenda njëorëshit të parë pas marrjes së plagëve, kështu duke konstatuar se duke pasur parasysh plagët e marra, vdekja nuk kishte të bëjë me elementin kohë.
“Nuk ka të bëjë me elementin kohë”, tha Uka.
Seanca vazhdoi me leximin e provave materiale, të cilat i prezantoi prokurori Armend Hamiti.
Prokurori Hamiti tha se nga raporti i autopsisë, foto-dokumentacioni në shkresat e lëndës, video-incizimi i vendit të ngjarjes, ekspertiza e AND-së, dhe deshmitë e dëshmitarëve, plotësohen elementet e veprës penale që i vihet në barrë të akuzuarit.
Ndërsa, seanca u ndërpre me kërkesë të prokurorit Hamiti, me arsyetimin se nuk është prokuror i rastit dhe se duke pasur parasysh peshën e veprës penale, nuk mund të vazhdojë me marrjen në pyetje të të akuzuarit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, me datë 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe miqve të tij (babait dhe vëllait të gruas), kanë filluar përleshjen mes vete, ku gjatë përleshjes fizike, me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë – thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerit A.K., i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.
Me këtë, Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.