75 Mall Live Search
12:41 / E Enjte, 19 Shkurt 2026 / P M

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Spiropali: Drejtësia s’duhet të jetë e verbër ndaj realitetit historik të Kosovës

Nga Kuvendi i Shqipërisë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ndal te marrëdhënia me Kosovën si një përgjegjësi historike dhe kombëtare.

Shqipëria, tha Spiropali, do të mbetet një zë i fortë për të drejtën e Kosovës, për integrimin e saj ndërkombëtar dhe për dinjitetin e shtetit të saj, sepse stabiliteti i rajonit kalon përmes një Kosove të fortë, të njohur dhe të integruar në strukturat euroatlantike.

“Shqipëria është dhe do të mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Por drejtësia ndërkombëtare nuk është një koncept abstrakt. Ajo matet me standardin e barazisë, me koherencën e saj dhe me aftësinë për të mos u kthyer në instrument të leximeve të njëanshme historike. Lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet. Ishte një luftë për mbijetesë dhe për liri, pas një periudhe të gjatë represioni sistematik. Ky është fakt historik i dokumentuar ndërkombëtarisht. Për këtë arsye, çdo proces gjyqësor që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me një vetëdije të plotë për kontekstin, për disproporcionin e forcës dhe për realitetin e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile”, tha Spiropali.

Spiropali theksoi se drejtësia nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta, nuk mund të krijojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan moral dhe historik.

 “Shqipëria do të mbrojë me dinjitet të vërtetën historike të Kosovës. Do të mbrojë parimin që drejtësia duhet të jetë e paanshme, por jo e verbër ndaj realitetit. Dhe do të qëndrojë pranë çdo procesi që garanton standarde të larta juridike, transparencë dhe trajtim të barabartë. Sepse pa drejtësi të drejtë, nuk ka pajtim të qëndrueshëm. Dhe pa të vërtetë historike, nuk ka paqe të qëndrueshme në rajon”, deklaroi ministrja e Jashtme.