75 Mall Live Search
21:24 / E Martë, 09 Dhjetor 2025 / B XH

Gjyqtarët në Shqipëri kërkojnë pagën mujore mbi 9 mijë euro, reagon Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi pas publikimit të kërkesës së gjyqtarëve dhe magjistratëve për rritje të konsiderueshme pagash, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe me rrezik për balancat demokratike mes pushteteve në vend.

Në një reagim publik, Rama bëri të ditur se magjistratët dhe këshilltarët e zakonshëm kanë kërkuar një rritje prej 1,600 eurosh, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët e institucioneve speciale – GJKKO dhe SPAK, që aktualisht marrin rreth 6,130 euro në muaj, pretendojnë një rritje edhe më të madhe, prej 3,100 eurosh, duke e çuar pagën e tyre në 9,230 euro në muaj.

Rama ka theksuar se nuk bëhet fjalë për shaka apo keqkuptim.

Kryeministri e lidhi këtë kërkesë me atë që e konsideroi “tejkalim kompetencash” nga disa vendime gjyqësore të kohëve të fundit.

“Kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e Parlamentit bashkë, pa marrë një votë të vetme, si të mos arrish të marrësh mijëra euro të tjera nga arka e shtetit?”

Rama këmbënguli se shqetësimi i tij nuk lidhet një ministri, por me atë që e cilësoi rrezik real të përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve.