12:43 / E Premte, 18 Tetor 2019

Gjyshja kërkon mbesat, në Siri

Bledar Hamza është një prej shqiptarëve që dyshohet se u vra gjatë luftimeve në Siri rreth 5 vjet më parë.

28-vjeçari, i diplomuar me rezultate të larta në degën e financës në shtetin italian, u rekrutua dhe largua drejt Sirisë, ku mori me vete edhe bashkëshorten dhe vajzën e tij, ndërsa një tjetër vajzë e solli në jetë ne vendin islamik.

Por ndërsa u sinjalizua se ai mund t’ishte vrarë gjatë luftimeve, për bashkëshorten dhe dy vajzat e mitura nuk ka asnjë informacion. Gjyshja e Bledarit, Fitreti, ende nuk e pranon se ai nuk është më në jetë. Duke treguar se ajo e ka rritur nipin e saj, ndërsa i ati ishte në emigrim, 86-vjeçarja pohon se nuk mundi t’i njohë stërmbesat e saj, ndërsa shpreson se do t’i shohë një ditë.

Në janar të 2014-s, bashkëshortja e Bledar Hamzës njoftoi familjarët e tij se ai ishte vrarë. Vetë bashkëshortja u tha familjarëve se as ajo vetë nuk e kishte parë, por kishte qenë një shoku i Bledarit që i kishte pohuar vrasjen e tij.