75 Mall Live Search
19:23 / E Martë, 04 Qershor 2019 / indeksADMonline

Gjysmëfinale ëndrrash, rikthehet sfida klasike Federer-Nadal

Roger Federer dhe Rafael Nadal do të përballen mes tyre në gjysmëfinalen e grand slam të Roland Garros. Dy ikonat e tenisit kanë triumfuar sot në ndeshjet çerekfinale të turneut të fushave me dhè që zhvillohet në Paris, duke siguruar të drejtën për të luajtur në gjysmëfinale.

Një sfidë ëndrrash mes dy prej legjendave të këtij sporti, që për herë të parë do të përballen mes tyre këtë vit. Për herë të fundit kanë luajtur mes tyre në vitin 2017. Federer ka fituar 5 përballjet e fundit mes tyre, ndërsa Nadal udhëheq 23-15 në ndeshjet direkte.

Në çerekfinale, kampioni në fuqi i Roland Garros, Rafael Nadal mundi me lehtësi 3-0 (6-1, 6-1, 6-3) japonezin Kei Nishikori. Një takim që ishte si një stërvitore për spanjollin, që në të trija setet pati një epërsi të madhe. Nadal, fitues 11 herë i këtij turneu, mbetet edhe këtë vit favorit, pasi fushat me dhè janë sipërfaqja e tij e preferuar.

Përballë do të ketë zviceranin Roger Federer, që në çerekfinale mundi 3-1 (7-5, 4-6, 7-6, 6-4) patriotin e tij Stanislas Wawrinka. Një duel shumë më i bukur dhe i fortë se i mëparshmi, i ndërprerë për gati një orë në setin e katërt për shkak të shiut. Fitore e vështirë e Federer, që në dy sete pati nevojë për “tie break” për të mundur Wawrinka.