75 Mall Live Search
17:56 / E Martë, 09 Nëntor 2021 / C E

Gliha i vendosur për fitore

Përzgjedhësi i përkohshëm i Kosovës në futboll, Primozh Gliha, ka thënë se synimi i tij është t’i fitojë dy ndeshjet e këtij muaji.

Kosova fillimisht, të mërkurën do ta luajë miqësoren në Prishtinë kundër Jordanisë, ndërsa të dielën do të përballet në Athinë me Greqinë.

Ndeshja me Greqinë, është e fundit për Kosovën në ciklin eliminator për Botërorin “Katari 2022”.

“Jam i vendosur për të provuar të fitojmë në secilin ndeshja që është e mundshme. Ndoshta, duket të ndryshojmë në aspektin e respektimit të kundërshtarëve, pasi po i respektojmë si shumë. Dhe, nëse ndryshojmë këtë, atëherë besoj se do të marrim rezultate më të mira”, tha Gliha, i cili në fillim të konferencës e bëri një prezantim të shkurtër të tij duke thënë se për disa vite ka qenë në krye të Përfaqësueses U21 të Sllovenisë.

Për sllovenin Gliha, ndeshja me Jordaninë nuk është miqësore. Ai ka thënë se është një duel i rëndësishëm, të cilin patjetër që synon ta fitojë.

Ndërkohë, Gliha ka thënë se nuk do t’i zëvendësojë lojtarët që mungojnë për këto dy ndeshje, por do të vazhdojë me lojtarët aktual që i ka në dispozicion.

“Për mua nuk ka ndeshje miqësore, pasi çdo ndeshje është e rëndësishme. E them këtë sepse çdo fitore e ngrit moralin e ekipit. Ndeshja me Jordaninë duhet ta kërkojmë fitoren dhe të ngritim moralin e ekipit dhe kjo është mënyra e vetme për të ardhur te rezultatet e mira”, ka insistuar Gliha.

“Mungesat e lojtarëve nuk do t’i kompensojmë, por ky është një rast për lojtarët tjerë që ta shfrytëzojnë. Disa prej lojtarëve kanë kërkuar të lirohen dhe kjo në aspektin human është e rëndësishme për karrierën e tyre në klube, kështu që kemi pasur mirëkuptim”.

Sa i përket të ardhmes së tij, Gliha ka thënë se kjo pyetje është për kryetarin e FFK-së, Agim Ademin, por ka pranuar se mund të varet edhe prej këtyre dy ndeshjeve. Ai ka insistuar se synon që në këtë ndeshje të bëjë një ndryshim mentaliteti në ekip që duhet të shihet dhe është i rëndësishëm.

“Pyetja se a do të qëndrojë më gjatë është për presidentin, por edhe varet prej dy ndeshjeve. Por, synimi është që ta ndryshojë situatën te Kosova që është shumë e rëndësishme. Dua të bëjë ndryshim në aspektin e mentalitetit të ekipit. Do të provojmë të bëjmë më të mirë, të kemi rezultate të mira të mundshme dhe të marrim fitore. Nëse nuk jemi së bashku për këtë qëllim, atëherë cili është qëllimi i këtij grumbullimi”, shtoi Gliha.