Gliha pret rezultat pozitiv ndaj Rumanisë, thotë se ka marrë informacione nga “spiunët”

Kombëtarja e Kosovës do të luajë nesër (e martë) në udhëtim ndaj Rumanisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha, në prag të kësaj ndeshje është paraqitur sonte në konferencën për media në Bukuresht.
Slloveni tha se pret një rezultat pozitiv nga kjo përballje .
“Pres një rezultat pozitiv. Ne do të japim gjithçka. Ne luajmë kundër një ekipi me shumë lojtarë teknikë. Por, kemi edhe lojtarë të mirë, që zhvillohen në klube të mëdha”, tha Gliha.
Tutje, trajneri i “Dardanëve” zbuloi se ka marrë informacione për lojtarët rumunë nga dy futbollistët, Ermal Krasniqi (CFR Cluj) dhe Albion Rrahmani (Rapid Bukureshti), që aktivizohet në elitën e futbollit të Rumanisë.
I pyetur nëse ka marrë informacion për Rumaninë nga kosovarët në Liga 1, Gilha është përgjigjur duke buzëqeshur: “Po, kam folur me ta. Gjithçka është në telefon”.
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës do të zhvillohet në “National Arena” të Bukureshtit, me fillim prej orës 20:45.
Ndeshja i takon raundit të gjashtë në Grupin I. Pas pesë ndeshjeve të para, Rumania ka mbledhur nëntë pikë dhe është e dyta në renditje – kurse, Kosova është e pesta me katër pikë.
“Dardanët” ishin takuar me rumunët në qershor të këtij viti. Ndeshja e zhvilluar në “Fadil Vokrri” ishte mbyllur baras dhe pa gola.