GLSP-ja kërkon emërim të sekretarit të përgjithshëm të kuvendit, jo ushtrues detyre
Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka deklaruar se procesi i rregullt i rekrutimit për sekretarin e përgjithshëm të kuvendit duhet të përmbyllet me emërim, jo me vazhdim të ushtruesit të detyrës
Në një komunikatë, GLSP-ja ka deklaruar se një fenomen i tillë, për të cilin thotë se është i përhapur pothuajse në të gjitha kategoritë dhe institucionet publike, dëmton stabilitetin institucional, zvogëlon llogaridhënien dhe dobëson profesionalizmin e administratës publike.
“Shkarkimi i ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm ditën e djeshme, i cili njëkohësisht është edhe njëri nga kandidatët fitues, në vend që të pasohej me emërimin nga procesi i rekrutimit, përbën një praktikë shqetësuese në raport me respektimin e procedurave të rekrutimit në administratën publike. GLPS-ja, përmes iniciativës CorrWatch, ka monitoruar këtë konkurs në të gjitha fazat e tij, që nga shpallja e konkursit e deri te faza e intervistave. Bazuar në monitorimin tonë të drejtpërdrejtë, procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nuk janë identifikuar shkelje që do të cenonin meritokracinë, profesionalizmin apo ligjshmërinë e procesit”, thuhet në njoftim.
GLPS-ja tutje ka deklaruar se mbetet shqetësues dhe absurd fakti që janë tejkaluar edhe afatet për mbajtjen e një pozite me ushtrues detyre, duke shkelur Ligjin për zyrtarët publikë, aq më shumë kur procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar me ligjshmëri të plotë.
Sipas kësaj organizate, pozita të tilla drejtuese duhet të mbrohen nga çdo ndërhyrje apo tendencë për politizimin e tyre, dhe çdo hap tjetër përveç emërimit nga procesi tashmë i përfunduar i rekrutimit përbën shkelje ligjore.
“Për fund, GLPS-ja konsideron që kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do duhej të angazhohej në përfundimin e procedurës së rekrutimit, rrjedhimisht fazës së emërimit, e jo të vazhdimit të një praktike të tillë. Për më tepër, çdo tendencë për të anashkaluar këtë proces të ligjshëm të rekrutimit është e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me parimin e meritokracisë, si dhe cenon sigurinë juridike dhe të drejtat e kandidatëve. Mospreferenca ndaj kandidatëve fitues nuk përbën bazë ligjore për anashkalim të procesit të zhvilluar”, thuhet në njoftim.

